F1, Vettel triumfon në Belgjikë

25/08/2013 15:30

Kampioni në fuqi i botës në Formula 1, gjermani Sebastian Vettel, ka triumfuar në Çmimin e Madh të Belgjikës, në pistën e SPA Francorchamps, një garë që e dominoi që nga fillimi, me atë parakalim vendimtar ndaj Hamilton, i nisur nga Pole Position, duke mos hasur më vështirësi drejt fitores.

Fernando Alonso me Ferrari-n ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme, duke përfunduar në vendin e dytë të renditjes, pavarësisht se u nis nga i 9-ti. Ndërkohë, podiumi plotësohet nga Lewis Hamilton me Mercedes, një paraqitje konstante gjatë gjithë garës për pilotin britanik, edhe pse nuk mundi të ruante vendin e parë.

Për t’u theksuar gjithashtu, dalja e Kimi Raikkonen nga gara ka bërë që t’i jepet fund rekordit të tij personal me më shumë se 26 gara, që i përfundonte në zonën e pikëve. Kjo është tërheqja e parë për finlandezin, pas 38 garash.

Renditja e garës së Belgjikës: Vettel, Alonso, Hamilton, Rosberg, Webber, Button, Massa, Grosjean, Suttil, Ricciardo.

Çmimi i radhës është ai i Italisë, në Monza, që do të zhvillohet në datat 6-8 shtator.

Top Channel