Projekti për ndërtimin e Bulevardit të ri të Tiranës pritet të mësojë emrin e kompanisë fituese javën e ardhshme.
Ka qenë Bashkia e Tiranës, e cila me anë të një njoftimi për shtyp ka bërë të ditur se, javën e ardhshme do të përzgjedhë kompaninë, e cila do të ndërtojë Bulevardin e ri të kryeqytetit.
“4 kompani prestigjioze ndërkombëtare, nga Europa dhe Lindja e Mesme, paraqitën ofertat financiare si dhe dokumentacionin përkatës, për të realizuar këtë projekt strategjik, më i rëndësishmi i realizuar në 70 vitet e fundit në kryeqytet. Ky projekt, i lançuar për herë të parë nga kryebashkiaku Basha, gjatë fushatës elektorale të vitit 2011, nis të shndërrohet në realitet, rreth 2 vjet pas zgjedhjes së tij në krye të Bashkisë së Tiranës”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.
Në fazën e parë të punimeve, që nis nga Stacioni i Trenit, përfshihet edhe një parkim i madh nëntokësor. Përgjatë bulevardit është parashikuar kalimi i linjës së tramit, që do të lidhë terminalin multimodal të pasagjerëve me sheshin “Nënë Tereza”.
Në bulevardin e ri të Tiranës do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë dhe institucione të tjera publike, disa institucione kulturore dhe artistike, qendra biznesi etj. Ndërtimi i bulevardit të ri do të shtojë mbi 150 mijë metra katrorë gjelbërim, përgjatë aksit të tij, ose afërsisht 5 herë më shumë se parku “Rinia”.
Sipas Bashkisë, zbatimi i projektit të bulevardit verior dhe lumit të Tiranës do të zhvillojë një nga pjesët më të prapambetura të qytetit të Tiranës. Zona urbane, që ndikohet nga ky projekt, është 14 km katror. Zbatimi i këtij projekti do të mundësojë urbanizimin me standarde bashkëkohore të 1/5-tës së qytetit të Tiranës dhe ndërtimin e një poli të ri zhvillimi në kryeqytet.
Top Channel