Ilir YZEIRI – Këta dy muaj që kaluam me një qeveri të përkohshme dhe me një tjetër qeveri të ligjshme që u prodhua nga zgjedhjet e 23 qershorit, nxorën në reliev thuajse gjithë fenomenologjinë postkomuniste të elitës politike shqiptare. Këta dy muaj treguan se elitës politike shqiptare dhe veçanërisht asaj që na qeverisi për tetë vjet, jo vetëm që i ishte tharë shpirti, por edhe ishte tjetërsuar dhe na u shfaq si një hije e gjithë zvetënimit tonë moral e kulturor.
Në këta dy muaj, qeveria e përkohshme që u ndëshkua më keq se ç’u ndëshkua qeveria komuniste në vitin 1992, prodhoi vetëm një ngjarje, atë me emrin SHQUP. Në ikje e sipër grabiti një pronë të ushtrisë dhe vendosi ta bëjë zyra për vete. Tani në fund, simbolika e kësaj ngjarjeje po na tregon se Berisha e kishte projektuar këtë aksion si një shkas për të ndezur një konflikt me qeverinë e ligjshme që doli nga 23 qershori. Në qoftë se në vitin 1998, ai përdori arkivolin e Heroit të demokracisë, Azem Hajdari, për të sulmuar derën e qeverisë dhe paskëtaj i frymëzonte militantët e tij me retorikën antikomuniste, këtë radhë ai mendoi se rrëmbimi i SHQUP-it do të ishte një rast i artë që PD-ja, sipas tij, të gjendej në rolin e viktimës, bash atëherë kur qeveria e Ramës do ta nxirrte nga godina. Atëherë, ai, bashkë me militantët e tij, do të rrethonin SHQUP-in dhe do të shtriheshin në dhé me Genc Pollon në krye e me Jozefinën në qendër dhe do të lëshonin kushtrimin se vetëm kur këmba e ushtarit të Ramës të kalonte mbi trupin e Jozefinës e të Gencit, vetëm atëherë SHQUP-i do t’u dorëzohej bijve të komunistëve fanatikë të Bllokut.
Kështu Berisha do të prodhonte aksionin e parë politik dhe do të mbante të ngritur moralin e trupës së militantëve demokratë. Mirëpo, siç thotë i urti, nuk mund të kalosh dy herë në të njëjtin ujë sepse ai rrjedh dhe kjo ëndërr e Berishës u shkërmoq sepse publiku u njoh me një fakt tjetër. Pinjollë të familjes Toptani, me dokumente në duar i treguan gjithë opinionit se ai truall u është njohur atyre edhe në vitin 1996, edhe në vitin 2004. Nuk u është kthyer sepse ishte objekt ushtarak. Në rastin kur ndërron status, pra kur prona del nga inventari i FA-së, ligji shqiptar thotë që pronarëve të truallit u lind e drejta të parëve që ta blejnë godinën. Pra, loja me SHQUP-in paska qenë një prapaskenë meskine dhe e ndyrë, sepse është luajtur mbi kurrizin e pronarëve të ligjshëm. Berisha e dinte shumë mirë se ai truall ishte i pronarëve të ligjshëm dhe se ajo godinë nuk mund të tjetërsohej. Berisha ka menduar që t’i mbajë ata të lidhur pas qerres së tij, derisa ai të kryente apo të realizonte spektaklin apo dramën që do të vinte në skenë me aktorët Jozefinë e Genc. Deri atëherë, pronarët e ligjshëm, sipas logjikës së Berishës, nuk duhet të bënin zë, duhej të heshtnin.
Mirëpo, ndodhi e kundërta. Nga SHBA mbërriti një prej tyre dhe deklaroi se do të njoftonte edhe ambasadën e SHBA-së për këtë skandal. Loja ka hyrë në një fazë shumë interesante dhe tani cilado qeveri e ka të lehtë që ta diskreditojë këtë akt të turpshëm të qeverisë së përkohshme dhe në ikje. Nëse ajo vendos t’ia rikthejë pronën FA-së, duhet urgjentisht që të kompensojë pronarët e ligjshëm. Nëse do ta miratojë tjetërsimin e saj, atëherë, në mënyrë të menjëhershme, ajo duhet t’ua kthejë atë pronarëve të ligjshëm dhe ata, me anë të Përmbarimit duhet ta nxjerrin “për zhelesh jashtë” siç thoshte e paharruara Jozefinë, zaptuesin e tokës dhe të godinës, shtetasin Sali Berisha. Tragjikomedia e SHQUP-it ndodhi në të njëjtën kohë me ngjarjen e rëndë të Përmetit. Konflikti mes Kishës së Përmetit dhe bashkisë për Shtëpinë e Kulturës së atij qyteti ishte një ngjarje që shpalosi shenjueshmërinë e një realiteti të trishtuar. Pyetja e parë që lindi vetvetiu ishte kjo: Kisha Shqiptare e Nolit të madh ekziston apo jo? Ortodoksët shqiptarë janë pjesë e shtetit shqiptar dhe qeveria greke nuk ka asnjë të drejtë që të sillet me ta sikur ata të ishin shtetasit e saj. Këtë hamendje e ka zgjidhur që në shekullin e kaluar Fan Stilian Noli dhe Hirësia e Tij, z.Janullatos duhet ta dijë se ortodoksët e Shqipërisë janë shtetas shqiptarë, se Kisha Autoqefale e Shqipërisë është e Pavarur nga Kisha Greke dhe nga Patrikana Greke. Hirësia e tij duhet të kujtohet mirë dhe duhet të dijë se Fan Stilian Noli, pas krijimit të shtetit shqiptar më 1912, i bëri Shqipërisë aktin më sublim, i shpëtoi ortodoksët e saj nga greqizimi duke u dhënë atyre Kishën Autoqefale. Ndërhyrja e shtetit grek përmes deklaratash zyrtare nuk është në rrugën e europianizimit të Ballkanit. Sali Berisha do të mbahet mend si Esad Pashë Toptani që e ka varrin në Beograd, sepse në vitin 1992 e asgjësoi veprën e Nolit dhe e futi Kishën Ortodokse Shqiptare në labirinte politike të errëta.
Hirësia e tij, z.Janullatos ka meritë në ringritjen e Kishës Ortodokse Shqiptare, por ai, me dashje apo pa dashje, këtë nuk e themi dot, nuk ka bërë asgjë për të ruajtur trashëgiminë kristiane ortodokse shqiptare. Janë me dhjetëra kisha të periudhës së Mesjetës në Shqipëri që janë lënë të shkatërrohen. Janë po ashtu shumë të tjera të cilat nuk kanë asnjë shenjë mirëmbajtjeje, por ngjajnë si godina të braktisura. Kam parasysh Kishën e Shën Prokopit në Tiranë, te Liqeni, e cila ka mbi njëzetë vjet që i është kthyer Kishës Ortodokse, por aty nuk ka asnjë shenjë që të tregojë se është një objekt kulti. Ajo ngjan ende me restorantin e Shën Prokopit që ziente dikur nga orkestra dhe tavolinat poshtë pemëve. Në të dyja rastet dhe në shumë e shumë herë të tjera, vërejmë me trishtim se shpirti shqiptar ka vdekur, se elitat kulturore në këtë vend dhe institucionet e këtij vendi që merren me shpirtin shqiptar duhet të rilindin. Si? Të presim.
Top Channel