Zhdukja e plazhit të Patokut

24/08/2013 00:00

NDUE DEDAJ – Në Shqipëri, ani se mjaft e dhimbshme të thuhet, është bërë
zakon humbja e mpakja e territoreve, në një mënyrë a në një tjetër.
Dikur na i patën përlarë fqinjët me luftëra dhe Fuqitë e Mëdha me
konferenca ambasadorësh, përfshi dhe ndonjë dhuratë mbretërore, si Shën
Naumi.

Tash, tokat tona, o i ka gllabëruar deti, o i kanë shqyer lumenjtë, o i kanë shkrumbuar zjarret. Një nga humbësit e pazakontë të viteve të fundit është dhe plazhi i Patokut në Rrethin e Kurbinit, i cilësuar si një ndër më cilësorët e vendit, qysh në atë kohë kur Velipoja ishte ende larg të qenët plazh, le pastaj Gjiri i Lalëzit që nuk përmendej fare, tani margaritari plazhor i gjithë Adriatikut. Si duket një qytet punëtorie si Laçi nuk mund të ishte pa plazhin e tij. Në vitet ‘80 ishte një vend përherë e më i lakmuar për pushimet e verës. Me emër shpendor, Patoku, gjendet bash aty ku derdhet lumi i Matit, i cili i ka dhënë emrin një fushe të tërë lezhjane, e njohur si “Bregu i Matës”, që dikur ka qenë e gjitha kënetë. Kurse tani është bërë kënetor Patoku, plazhi prej 10 kilometrash. “Jo vetëm deti i egërsuar, po dhe lumi i Matit e ka përmbysur mjedisin e këtushëm. Nga devijimi i tij, ky vend është kthyer në kënetë dhe uji i ka marrë dhe po i merr shumë tokës”, thonë me shqetësim banorët. Ndryshe nga Patoku, ana tjetër e lumit të Matit do të ishte me fat, pasi vitet e fundit do të krijohej plazhi më i ri verior, ai i Tales. Kur Patoku ishte plazh dhe ndërtoheshin pallate dhe restorante për pushuesit, Talja ishte veçse një sektor bujqësor i rendimenteve të larta. Tani piramida është përmbysur, ose medalja ka treguar anën tjetër të saj.

Në monizëm kishte një mendim të kufizuar për turizmin, plazhin dhe vijën bregdetare në përgjithësi, në aspektin e përdorimit publik, ku jo rastësisht, mjaft territore të saj, nga më të bukurat si Rana e Hedhun, Viluni, Porto Romano etj., ishin mbushur me bunkerë, tunele dhe reparte ushtarake. Edhe tani që kushtet kanë ndryshuar rrënjësisht, vijën bregdetare prapë nuk e kemi nën administrim. Nëse diku tjetër atë e ka shkatërruar betoni, ndërtimet pa leje, ndotjet nga plehrat dhe ujërat e zeza, në Patok ka qenë deti që ka bërë masakrën natyrore, duke e shfytyruar plotësisht ish-plazhin e dikurshëm e duke ia “humbur” namin sadopak dhe vetë peshkut të Patokut, si një lloj korani i këtyre anëve. Po a ndalet deti? Sulmet, shfrimet dhe gërryerjet e tij? Erërat dhe dallgët zhbimëse? Një dukuri që ka prekur dhe Kunën në afërsi të Shëngjinit, ku kronikat televizive kanë paraqitur disa herë pishat e rrëzuara dhe detin që shtyhet me turr për nga toka. Po, ndalet, në të gjithë botën detit i vihet fre, kilometra të tëra të bregdetit italian janë me mure(beton)mbajtës, që ujërat ta mbajnë aty vrapin. Për Patokun janë shqetësuar shoqatat mjedisore, ka pasur projekte sensibilizuese të Këshillit të Qarkut të Lezhës me organizma të huaja etj., por nuk kemi mundur të kemi deri më sot një strategji kombëtare për administrimin e mbarë bregdetit dhe përdorimin e detit në dobinë tonë. E, pra, o sot, o kurrë! Me të vërtetë që nesër do të jetë shumë vonë. Nuk do të kemi humbur vetëm Patokun, këtë plazh që do ta dëshironin pushuesit e shumtë të zonës, po dhe nga Tirana, Kruja, Burreli, pse jo dhe nga Kosova. Veçse problemi është shumë më kompleks se një plazh i rrënuar krejtësisht. Mbarë Gjiri i Durrësit, zemra e Adriatikut, veçanërisht Golemi, është zona më e goditur nga ndërtimet pa leje, ujërat e zeza, plehrat dhe ndotja, aq sa njerëzit tashmë duan të shkojnë gjithkund, por jo dhe atje si dikur, pasi i largohen kaosit urban. Dhe kur kemi shkatërruar metropolin e plazhit e turizmit shqiptar, që ka dhe një amfiteatër antik, ç’pritet se mund të shpëtojmë pa zhbërë, për më tepër që syri i privatizimit iu është vënë dhe kalave që nuk na i mori dot as pushtuesi e tash mund të na i gllabërojë korrupsioni?!

Sa herë është thënë se organet shtetërore duhet të marrin nën kontroll krejt territorin e vendit, që dita-ditës po shkretohet nga ndërtimet pa leje në bregdet e gjithandej, nga gërryerjet e lumenjve, djegia e pyjeve etj. Është rasti tani për t’i parë plazhet edhe me këtë sy, jo vetëm si ato po ngrihen e përparojnë, por dhe aty ku ato rrezikohen. Sipas specialistëve të turizmit, kërkohet të hartohen plane rregulluese urbanistike në të gjithë pjesën bregdetare, liqenore dhe lumore të Shqipërisë, për ta nxjerrë atë nga çrregullia e përgjithshme, sado që ato plane të kushtojnë. Tashmë po përvijohet ajo që duhet bërë me turizmin bregdetar e malor, ku nuk mund të mos jetë parësore ruajtja dhe kultivimi i traditës për sa i përket kuzhinës, stilit ndërtimor të vilave, hoteleve, restoranteve, harmonia e tyre me peizazhin ekzotik apo urban. Turizmi nuk është punë qejfi dhe aq, por një perspektivë në anën ekonomike, të punësimit dhe të ardhurave, çka do të thotë se duhet llogaritur kapaciteti i kësaj industrie për sot dhe për nesër, në raport me ritmet e saj në rajon e më gjerë. Vërtet që tani po zbulohen “xhepa” të rinj turistikë të vendit, por nëse problemi nuk trajtohet në kohë nuk do të kemi humbur vetëm Patokun në bregdet, apo Currajn e Epërm në Alpet shqiptare, por dhe shumë pasuri të tjera si ato. E keni vënë re? Gati është harruar të flitet për Lurën, kur bëhet fjalë për turizmin? E nëse nuk i mbarështojmë pasuritë, ku i dihet si do të vejë dhe fati i Dardhës, Voskopojës, Syrit të Kaltër, Ujëvarës së Sotirës, Nënshejtit (Orosh), Kroit të Bardhë, Grykës së Komanit etj. Për të parë se si mirëpërdoret për qëllime turistike një pasuri e tillë brenda hapësirës shqiptare mund të shkosh në Grykën e Rugovës, në pyjet e Brezovicës në Kosovë etj. Jo gjithnjë modelet duhet t’i kërkojmë larg, në Zvicër e Austri, që i kemi shumë përzemër dhe i përmendim vend e pa vend në këtë kundrajë. Nuk ka asnjë të keqe të shohësh nga e mira, nga ajo që kanë përkryer të tjerët, por a mund ta bëjmë Shqipërinë turistike siç vetë ajo duhet të jetë? Nëse bëjmë një turizëm autentik shqiptar, atëherë do të vijnë turistët te ne, por nëse vetëm imitojmë, zor se do të na përfillë kush.

Ka një tërheqje të dukshme ndaj turizmit vitet e fundit, po sa ajo që bëhet është në hullinë e duhur? Që të shmanget informaliteti, betonizimi (një bunkerizim i ri!), “copëzimi” i plazheve publike, gardhimi i tyre me tela me gjemba, spontania dhe diletantizmi në një sipërmarrje kombëtare kësodore, priten plane zhvillimi të turizmit, jo vetëm në bregdet, një masterplan që do të zbatohej hap pas hapi, duke nënkuptuar studimin e zonave më atraktive, urbanizimin e tyre, trajnimin e punonjësve të sektorit turistik, promovimin e ekoturizmit, turizmit kulturor etj. Por në radhë të parë, mbrojtje e tokës nga sulmet e detit, nga vërshimi i lumenjve, gërryerjet, përmbytjet, prerja e pyjeve dhe shpyllëzimet për shkak të objekteve të reja, ndërtimet pa leje, këta “armiq” vërtet pa helmetë si pushtuesit e dikurshëm, por njëlloj të rrezikshëm për shkatërrimin e mjedisit, ekologjisë, gjeografisë së këtij vendi.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA