Andrea Stefani – Berishistët janë turrur në “Facebook” apo “Twitter” për
t’i dhënë kush e kush më parë munxët Aleksandër Arvizus, ambasadorit të
SHBA-së në Tiranë. Kryqëzatës i prin Jozefina Topalli, ndërsa në fund
të karvanit është shfaqur kryqtari (pa portofol), Genc Pollo.
Duken shumë të zemëruar me ambasadorin, sepse ai paska barazuar zgjedhjet e vitit ’92 me këto të 23 qershorit të këtij viti që i rrëzuan nga pushteti. Si mund të barazohen zgjedhjet që përmbysën diktaturën komuniste me këto që përfaqësojnë thjesht një ndërrim pushteti? – tërhuzen berishistët. Dhe nuk ngurrojnë, nën lidershipin e Topallit, të kalojnë deri në fyerje për Arvizun, duke e stigmatizuar, si njeri të vockël apo deri edhe ekstremist të majtë! Reagimi ka qenë aq i egër dhe pa asnjë takt sa ka habitur deri edhe mbështetës të PD-së, që e mbajnë mend shumë mirë janarin e vitit 2011 kur qe po ky “ekstremist i majtë” që e mbështeti Berishën, duke e lavdëruar publikisht me apelacionin “burrë shteti”. Mu poshtë dritareve të zyrës së Berishës sapo ishin vrarë 4 protestues të pafajshëm dhe ai zor se do të ish mbajtur në karrige pa mbështetjen e ambasadorit, që sot anatemohet brutalisht nga delfinët e tij.
***
Ta mburrësh një njeri kur të mburr dhe ta shash kur thotë diçka që nuk të pëlqen, është zbatim i motos së ekstremistëve të çdo lloji: O me ne, o kundër nesh! Ndaj dhe berishistët kanë dhënë një tjetër provë të ekstremizmit dhe intolerancës së tyre të pakurueshme, ndërsa kanë sulmuar egërsisht ambasadorin Arvizu vetëm sepse ka shprehur një pikëpamje. Po çfarë sakrilegji paska lëshuar nga goja ambasadori për të vuajtur gjithë këtë rrëmet fyerjesh dhe akuzash? Paska thënë se: “Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 ishin historike dhe po ashtu si ato të vitit 1992, ishin shumë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi sollën ndryshimin”. Sipas berishistëve, Arvizu paska krahasuar të pakrahasueshmen sepse, sipas tyre, zgjedhjet e vitit ’92 sollën demokracinë, ndërsa më 23 qershor patëm vetëm një rotacion normal pushteti. Në të vërtetë gjërat nuk janë fare kështu. Sepse zgjedhjet e vitit ’92 nuk sollën demokracinë, por vetëm hapën shansin për instalimin e demokracisë. Dhe me termin demokraci, këtu nuk kuptojmë vetëm organizmin e zgjedhjeve, por edhe themelimin dhe fuqizimin e tërë atij rrjeti institucionesh të pavarura (drejtësia në radhë të parë) që kufizojnë dhe balancojnë pushtetin e qeverisë dhe nuk lejojnë që ajo të dhunojë liritë e të drejtat e njerëzve. Pra, kuptojmë demokracinë liberale që nuk është instaluar ende në Shqipëri. Po çfarë është Shqipëria momentalisht në pikëpamje të qeverisjes? Sikundër tregoi së fundi edhe klasifikimi i revistës “The Economist”, mbi dy dekada pas rënies së komunizmit, Shqipëria nuk është ende demokraci, por një regjim hibrid. Po çfarë janë regjimet hibride? “The Economist” shpjegon se regjimet hibride kanë probleme të thella me parregullsitë zgjedhore që shpesh nuk i lejojnë zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme. Presioni qeveritar mbi partitë e opozitës dhe kandidatët, mund të jetë shumë i përhapur si fenomen. Dobësitë serioze këtu janë shumë më mbizotëruese sesa në demokracitë me të meta si në drejtim të kulturës politike, funksionimit të ekzekutivit dhe pjesëmarrjes politike. Korrupsioni është shumë i përhapur dhe sundimi i ligjit konsiderohet i dobët. E tillë është edhe shoqëria civile. Tipike e këtyre regjimeve është trysnia mbi mediat dhe fakti që gjyqësori nuk është i pavarur.
***
Vështirë të thuash se në Shqipërinë e sotme mungon ndonjë nga këto të këqija. Dhe një hap i vetëm i ndan regjimet hibride nga diktaturat gjakatare. Edhe pak fare dhe Shqipëria mund të rikthehej te modeli i pushteteve pa mbarim, ku lideri i pazëvendësueshëm vdes i plakur në karrigen e pushtetit. Sali Berisha punoi pa u lodhur, që Shqipëria të ecte në këtë shteg, duke braktisur atë të demokracisë liberale me qeveri të përkohshme dhe të kufizuara nga institucione të pavarura. Nga maja e pushtetit ai propagandonte se do të qëndronte edhe 30 vjet në pushtet, duke lënë të kuptohet se këtë pafundësi qeverisjeje ia garantonte edhe shëndeti i plotë me të cilin mburrej. Por, mbi të gjitha, ai nuk rreshti së punuari kundër krijimit të një pushteti drejtësie të pavarur, u investua jo vetëm në sulmin kundër mediave të pavarura, por edhe në krijimin e mediave “të pavarura” në shërbim të tij. Madje ai bëri edhe më shumë sesa ndodh në një regjim hibrid. Ai vrau në emër të pushtetit. Vodhi votat dhe instaloi mekanizmin e manipulimit në emër të qëndrimit pafund në pushtet. Fakti që Shqipëria nuk është ende një demokraci liberale, por një regjim hibrid, i dedikohet këtij investimi 20-vjeçar të politikanëve si Berisha dhe klikave rreth tyre. Prandaj Arvizu ka shumë të drejtë kur thotë se zgjedhjet e 23 qershorit kanë një vlerë historike si ato të vitit ’92. Sepse Shqipëria ia doli që me votë masive kundër qeverisë, aq masive sa ajo nuk e manipuloi dot, arriti të dalë nga këneta e shteteve me pushtete autokratike pa mbarim ku po zhytej. Dhe të rihapë shansin për instalimin e demokracisë liberale, shans që kish lindur në vitin ’92, pas rënies së komunizmit, por që po shuhej për shkak të epsheve patologjike për pushtet pafund të një autokrati si Berisha. Edhe një fitore tjetër e këtij të fundit dhe pushteti represiv që do të lindte mund të ndërrohej vetëm me revolucion. Sepse, sikundër ka thënë një tjetër ambasador amerikan (edhe ky i stërsharë nga berishistët), Shqipëria po rrëshqiste praptazi në diktaturë. Në zgjedhjet e vitit ’92 ra një diktaturë. Në zgjedhjet e qershorit ra një regjim, një paradiktaturë. Në zgjedhjet e ’92-shit ra një diktator. Në zgjedhjet e 23 qershorit ra një autokrat. Ndryshimi nuk është edhe aq i madh. Dhe prandaj edhe zgjedhjet e qershorit sollën – sikundër thotë ambasadori Arvizu – një ndryshim historik dhe shpëtimtar për demokracinë.
Top Channel