Hijet e testamentit për konflikt

23/08/2013 00:00

Aleksander Cipa – Periudha e gjatë e ndarjes së njërit sesion të
legjislativit nga pasardhësi, i përkuar me rotacionin qeverisës, duket
se mbart dhe zbulon shumë probleme.

Një fazë që përthellon infatilitetin e administratës publike, denatyron strukturat ligjzbatuese dhe mbi të gjitha krijon precedentin propagandistik të pasjes së dy qeverive, këtë në “detyrë” dhe atë “në ardhje”. Në këtë mënyrë, Shqipëria e kësaj vere politike po rishfaqet në pamjen e saj konfliktuale. Kryeministri i paikur, zoti Berisha, po e konsumon muajin e mbetur të mandatit të vet duke mbajtur mbledhjet e fundit vendimmarrëse. Në kësi vendimesh shfaqet tendenca klienteliste dhe pse jo, mungesa e një transparence, kur bëhet fjalë për koncesionet, importet e plehrave dhe sidomos dhëniet në përdorim të aseteve publike.

Kjo qeveri që merr vendime me të “katër motorët” deri në orën e fundit, njëherësh paraqitet ineficiente në administrimin real të jetës sociale, funksionimin e administratës, përballimin e insinuatave religjiono-politike dhe diplomatike, si dhe në mbajtjen e ekonomisë dhe financave në dijeninë reale publike.

Kryeministri Berisha, duke ironizuar takimet apo mbledhjet informale të kabinetit pasardhës të Kryeministrit Rama, duke u ankuar për cenim të Kushtetutës se po krijohet qeveri paralele, po rikthehet në metodologjinë e vet të konfliktit edhe pas daljes në pension politik të rremë.

Një marrëdhënie e tillë gjatë rotacionit të shkurtër qeverisës e ka rikthyer vendin në një gjendje gjysmë anarkike. Ligji dhe autoriteti i gjithfarë administratorëve paraqesin forcë dhe pamje të degraduar.

Një përkeqësim skandaloz, madje i frikshëm i rendit dhe sigurisë, një neglizhencë tronditëse në shërbime dhe infrastrukturën urbane, si dhe sulmi i papërmbajtshëm i informalitetit dhe grabitjes së pronave publike, kanë shpërndarë një ankth të madh.

Ky ankth dimensionohet verbalisht edhe më tepër për shkak të së përfolurës “stuhi lëvizjesh dhe emërimesh” në administratë dhe në sektorët e institucioneve shqiptare. Kjo betejë verbale mediatike edhe në rrjetet sociale të jep ndjesinë se në shtator një kastë e re dhunuesish do i zërë vendin kastës së vjetër të qeverisjes së deritanishme.

Sjelljet e Kryeministrit Berisha me pronësinë e re të SHQUP-it janë thelbi për një konflikt të mundshëm mes opozitës së re dhe qeverisjes në ardhje. Logjika e “faktit të kryer” është as më shumë e as më pak një sjellje e krahasuar me modelin “Bathore” apo “Tokë e zanun”, të cilin, si në kohën kur ishte president edhe gjatë mandateve si kryeministër, e implementoi shëmtueshëm. Në asnjë çast nuk dëshmoi vetëpërmbajtje ndaj këtij modeli për të cilin ai mbetet kryearkitekti i vetëm. Pas vendimit shijehidhur për ta shndërruar SHQUP-in në seli të partisë së tij dhe ngutjes për të instaluar së pari zyrën e tij si kryetar ne pension, por dhe në detyrë, z. Berisha na kumton se do të jetë një protagonist pas kuintave i konfliktit të ardhshëm politik në skenën e vendit. Madje arbitrariteti vendimmarrës për këtë “seli” duket qartë se ka lidhje me logjikën e njohur të tij, për ta përdorur si karrem, që shumica e re e majtë të bjerë në “grepin” e konfliktit. Dëshira e papërmbajtshme për të ricikluar një kapitull konflikti politik mes pozitës dhe opozitës së shtatorit është e shumëshprehur dhe e shumëlexuar.

Nuk është e rastësishme edhe fushata ndaj ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, duke harruar shumë shpejt se është po ai diplomat që në ditët më të vështira të jetës kryeministrore iu gjend me komplimentin “burrë shteti”. Por koha rrjedh dhe e mira për politikanin Berisha është vetëm ajo që s’mban kritikë për të. Në të kundërt, ai i rikthehet instinktit të luftës.

Politikani Berisha jeton në opozitë vetëm duke ndezur konflikt. Kjo semantikë shprehet pothuajse përditë në mesazhet virtuale në rrjetet sociale. Heshtja injoruese e kryeministrit të ri Rama në fakt është e pamjaftueshme. Atë e zvogëlon dhe i shkojnë për kundër akuzat dhe denoncimet e përditshme që disa deputetë të shumicës së re kanë ndërmarrë ndaj bizneseve që, sipas tyre, kanë lidhje me qeverisësit e deritanishëm. Bëjnë fjalë për kompani dhe biznese fitimprurëse jo vetëm në tregun kombëtar, por edhe atë ndërkombëtar. Kjo valë sulmesh në këtë moment duket se më shumë i vlen opozitës së re, e cila po e përkthen si revansh të së majtës në pushtet. Vetë z. Berisha në mesazhet e dy ditëve të fundit kërkon solidaritet gati fisnor për të përballuar këtë “revansh të Ramës”.

Arma e konfliktit dhe baruti i tij janë të shpeshta dhe lehtësisht të gjendshme në realitetin e komunikimit politik pozitë-opozitë. Për këtë arsye, z. Berisha, jo vetëm si luftëtar i vjetër, por mbi të gjitha si politikan tashmë në nevojë, ka shtytimin për të qenë i papërmbajtshëm. Kësaj arme ai dhe kryetari zyrtar i PD-së, z. Basha, mund t’i drejtohen dhe ta përdorin me lehtësi, pa e menduar koston dhe pa u shqetësuar për recidivizmin. Por sidoqoftë kjo është nevojë e re për një armë të vjetër. Çështja është si duhet parandaluar rirrëmbimi i saj dhe aq më tepër shmangia nga përdorimi. Ati politik i opozitës së re të vendit, ka vetëm një testament, atë të konfliktit. Fjalët e para të këtij testamenti i zbulon vetë “atë Berisha”. E do konfliktin jo vetëm për pasardhësit, por fatkeqësisht dhe për kohën e pensionit të vet.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA