Gjici: Do t’i mundim turqit

21/08/2013 00:00

Kalimi i tre tureve në Europa League i ka shtuar oreksin drejtuesve dhe skuadrës së Kukësit të cilët kërkojnë ta vazhdojnë këtë sukses edhe me turqit e Trabzonspor.

300 mijë euro do të jetë shpërblimi që do të marrin lojtarët dhe stafi i Kukësit nga presideti Gjici në rast kalimi në fazën e grupeve të këtij kompeticioni.

“Edhe pse i kemi kaluar tre ture dhe lojtarët nuk kanë presion, kjo nuk do të thotë që nuk do e fitojmë ndeshjen. Ne do e fitojmë ndeshjen dhe do jetë një ndeshje spektakolare. Zoti dhe fati do të jenë me ne”, tha presidenti Gjici.

Dy legjendat e kombetares shqiptare, Alban Bushi dhe Klodian Duro, të cilët e njohin mjaft mirë futbollin turk për shkak të aktivizimit për shumë vite në kampionatin e këtij vendi, tregojnë mënyrën sesi Kukësi të mposhtë turqit e Trabzonsporit, të cilët padyshim janë favoritë në letër.
“Kur një ekip i vogël që nuk është favorit qarkullon topin më shumë, kundërshtari nervozohet dhe del nga detyrat. Kukësi mund t’i sulmojë tek kjo pjesë”, shprehet Bushi.

Ndërsa Duro thekson: “Është mirë që ndeshjen e parë e luajnë në shtëpi dhe këtë gjë Kukësi duhet ta shfrytëzojë pasi Trabzoni do të jetë në presion në fushën e vet nëse nuk merr rezultat të mirë në Tiranë.”

Të dy këta ish-futbollistë e kanë vlerësuar në maksimun skuadrën tonë e cila në debutimin e parë në Europë arriti të bëjë histori në futbollin tonë.

“Unë do të veçoja tek Kukësi trajnerin Armando Cungu sepse ka ruajtur një ide të vetën futbolli”, nënvizon Duro.

“Edhe nëse Kukësi eliminohet, ka arritur shumë për futbollin shqiptar”, thotë Bushi.

Blerjet e reja të Trabzonsporit, Florent Malouda dhe Bosingwa, nuk do të luajnë të enjten në “Qemal Stafa”.

Top Channel