Champions, Arsenali thuajse i kualifikuar

21/08/2013 23:15

Duket se e ka shumë të thjeshtë Arsenali kalimin e kësaj faze “play off” të Champions League, pas fitores së ndeshjes së parë në Turqi përballë Fenerbahçes, me rezultatin 3-0.

“Topçinjtë”, pas një fillimi jo të mirë të kampionatit në Angli, arrijnë të shënojnë tri herë në portën e skuadrës turke, në pjesën e dytë.

Gibbs hap serinë e golave, për t’i lënë më pas radhën Ramsey dhe Giroud, ky i fundit shënon me 11-metërsh.

Me këtë rezultat 3-0, të ndeshjes së parë në transfertë, duket se kalimi i tyre për në fazën e grupeve është një mision i arritur, gjithsesi mbeten për t’u luajtur edhe 90 minuta të tjera, këtë herë në Angli.

Ndërkohë, ka zhgënjyer Shalke 04. Gjermanët konfirmojnë formën jo të mirë të tyre në këtë fillim sezoni, pasi kanë barazuar 1-1 me grekët e PAOK-ut në fushën e tyre.

Farfan i jep avantazhin, në pjesën e parë, Shalkes, ndërsa Stok barazon në pjesën e dytë dhe me rezultatin 1-1 mbyllet kjo ndeshje e parë, që favorizon më shumë skuadrën nga Selaniku për kalimin e turit.

Në këtë takim ka debutuar në Champions League edhe lojtari i përfaqësueses sonë, që aktivizohet me PAOK-un, Ergys Kaçe.

Në ndeshjet e tjera, Bazeli ka shkatërruar 4-2 Ludogorets Razgradin, Austria e Vjenës mundi 2-0 Dinamon e Zagrebit, ndërsa Steaua e Bukureshtit nuk shkoi dot më shumë se një barazim 1-1 me Legian e Varshavës.

Top Channel