Skender Minxhozi – Ka qenë një kohë kur presidentit i thoshin, disa herë
në ditë madje, “horri i bulevardit”. Ka qenë dhe një kohë, më herët,
kur një tjetër presidenti, i kujtonin herë moshën e shkuar, e herë
faktin që e kishin marrë nga rruga, ku hante misra të pjekur e luante
tavëll me bashkëmoshatarët.
Të dy presidentët në fjalë, me gjithë presionin e madh nën të cilin i konsumuan mandatet e tyre, mbajtën një qëndrim dinjitoz ndaj postit dhe tejet të kujdesshëm ndaj një shumice arrogante, që i gjuante me baltë nga mëngjesi në darkë.
Pasardhësi i dy presidentëve të mësipërm, Bujar Nishani, ish-ministër i Brendshëm i mazhorancës që po dorëzon letrat këto orë, po na tregon se nuk e ka aspak problemin e të qenët, qoftë edhe formalisht, i balancuar dhe i kujdesshëm me palët politike. Ai nuk humbi asnjë moment, për të na treguar se si do t’i ndërtojë marrëdhëniet me ata që pritet të marrin në dorë qeverisjen pas 9 shtatorit.
Dy deklarata publike të orëve të fundit, shenjojnë me vijë të kuqe këto marrëdhënie që ende nuk kanë nisur nga ana institucionale, por që tashmë duken të përflakura. Arsyeja?! Disa akuza gjithashtu publike, që eksponentë të mazhorancës së re, kanë adresuar ndaj kreut të shtetit, për çështje të ndryshme, gjatë muajve të fundit. E sidomos për rastin më të fundit, atë të SHQUP-it, që kreu i shtetit nxitoi t’ia kalojë me dekret si seli, ish-partisë së tij.
Deklarata më e fundit, ajo e djeshmja, përmban një dozë të dukshme mllefi. Aty flitet në mënyrë të përsëritur për shpifje, për tentativë për terror psikologjik ndaj familjes së presidentit, për akte të turpshme antikushtetuese, duke mos kursyer edhe thirrjen direkte për Edi Ramën, që të ndalë këtë fushatë të ulët e të padenjë kundër kreut të shtetit. Një njeri që do ta lexonte deklaratën pa ditur kontekstin e ngjarjeve për të cilat flitet, do të alarmohej dhe do të kujtonte se vendi ndodhet në prag të kolapsit institucional. Një kryetar shteti që i drejtohet me këtë gjuhë kryeministrit, do të thoshte njeriu në fjalë, duhet të ketë një hall shumë të madh parimor.
Në fakt asgjë e tillë s’ka ndodhur. Bujar Nishani nuk e ka fare hallin tek terrori i mazhorancës ndaj familjes së tij dhe as te fushata e supozuar e Edi Ramës. Çorbën aktuale ai e ka gatuar me duart dhe me vullnetin e tij. Pa marrë pëlqimin nga shefi i tij i Shtabit të Përgjithshëm, ai ka dekretuar një godinë buzë Lanës, në favor të Partisë Demokratike. Përtej faktit nëse Zonja e Parë është ose jo pronare e selisë së vjetër të PD-së, përulja aspak dinjitoze e kreut të shtetit ndaj nevojave “logjistike” të partisë së tij, është një gafë publike, e cila pa më të voglin dyshim do të ngjallte, siç po ngjall, debate publike. Çfarë do të bënte Berisha, e bashkë me të Nishani, nëse Fatos Nano, në të ikur e sipër, në vitin 2005, do t’i jepte një seli të re PS-së, sipas qejfit dhe oreksit?! Përse Presidenti i Republikës, prej shumë muajsh, është kthyer me bindje të verbër, në noter të interesave të shumicës së djathtë, duke shkelur ligje e Kushtetutë bashkë?! Mjafton të shohësh, për shembull, emërimet në sistemin e drejtësisë të mbetura pezull nga Bamir Topi, për ta kuptuar këtë.
Përplasja e Nishanit me shumicën e re të 23 qershorit e ka zanafillën pikërisht më 23 qershor. Rrethi i ngushtë pranë presidentit është shprehur më shumë se një herë në këto javë, se kreu i shtetit e ka përjetuar shumë keq rotacionin e pushtetit. Një provë e tërthortë e këtij humori të prishur u dha pak ditë pas zgjedhjeve, kur Nishani mblodhi krerët e institucioneve kryesore dhe u foli për mundësinë e “revanshit” të shumicës së re. Një sinjal i panevojshëm acarimi ndaj fitimtarëve të zgjedhjeve, i cili paralajmëronte mahisjen e mëvonshme.
Qysh në momentin e artikulimit të emrit si kandidat i radhës i mazhorancës, Bujar Nishani ka qenë një president partiak. Si i tillë, ai përfaqëson, qysh në krye të herës, një dështim të politikës shqiptare. Një dështim të cilin po e provojmë sot si të tillë, në të gjithë kompleksitetin dhe rrezikun që mbart për të ardhmen e marrëdhënieve institucionale në vend. Përtej deklaratave diletante e inatçore të orëve të fundit kundër së majtës, përtej qëndrimeve të qullëta e anonime, në ndjekje të verbër të interesave të partisë që e zgjodhi, Presidenca e zotit Nishani ka qenë e shenjuar në të gjithë trajektoren e saj nga një linjë e qartë pozicionimi në favor të njërës palë. Të asaj pale që i dha votat për t’u bërë kryetar shteti.
Kjo krizë e re institucionale pritet të sjellë një marrëdhënie të acartë mes qeverisë së re, shumicës së saj parlamentare, e kreut të shtetit. Zërat brenda së majtës për shkarkimin e Nishanit (që mund të kenë sjellë edhe acarimin aktual të presidentit), me shumë gjasë do të mbeten thjesht dëshira informale. Shumë më e sigurt ngjan heqja e fotove ceremoniale të tij nga zyrat e shtetit, për t’u zëvendësuar me ato të Ismail Qemalit, ashtu siç ka premtuar shumë herë deri më sot Edi Rama. Një gjest që edhe pa sherrin aktual do të ishte i mjaftueshëm për të treguar se cili është humori i fitimtarëve të rinj ndaj Presidencës, teksa revoltohen kur shohin sesi ky institucion kthehet herë në zyrë noterie, e herë në kadastër, për llogari të qeverisë në ikje.
Top Channel