Juve, Marchisio ndalet për 1 muaj

20/08/2013 04:45

Pavarësisht suksesit të arritur në Superkupën e Italisë, ku Juventus fitoi 4-0 ndaj Lazio-s, në shtëpinë bardhezi kanë lindur shqetësime, për shkak të një mungese të gjatë të Claudio Marchisio-s.

Mesfushori i bardhezinjve i është nënshtruar testimeve mjekësore, pas dëmtimit në gju të pësuar gjatë sfidës me “të kaltrit” në kryeqytet, dhe rezultati nuk ka qenë ai i shpresuari.

Rezonanca magnetike e kryer në klinikën Fornaca të Torinos ka evidentuar “një këputje të gradës së parë apo të dytë të ligamentit kolateral mesor të gjurit të djathtë. Prognoza për rikthimin në fushë është të paktën 30-35 ditë”.

Një lajm i keq për Conte-n, pasi Marchisio do të mungojë në këtë fillim sezoni, përfshi këtu ndeshjet me Lazio-n dhe Inter-in në kampionat, sfidat e para në Champions League dhe impenjimet me kombëtaren italiane, për kualifikueset e Botërorit 2014.

Top Channel