Inter pranë Eto’o, në rrezik e ardhmja e Belfodil

20/08/2013 13:45

Samuel Eto’o duket gjithmonë e më pranë një rikthimi të bujshëm tek Interi, pasi nga Anzhi ai është nxjerrë në merkato pas dy sezonesh, në të cilat ishte futbollisti më i paguar në botë me një rrogë prej 20 milionë eurosh neto në vit.

E megjithatë, më shumë se një zgjedhje zemre, ajo e kamerunasit duket e diktuar edhe nga fakti se dy klubet e tjera të mëdha të interesuar për të, Chelsea e Manchester United, kanë zbehur interesimin e tyre.

Aktualisht, skuadra e Mourinhos ka zgjedhur të përqendrohet tek mundësia Rooney, ndërsa United me sa duket ka spostuar vëmendjen në objektiva të tjerë.

Megjithatë, mbërritja e 32-vjeçarit në “San Siro” mund të kompromentojë të ardhmen e blerjes më të kushtueshme të merkatos së deritanishme të Interit, të të riut Belfodil.

Sipas mediave italiane, nëse kalimi i Eto’osë do të konkretizohet, atëherë i riu i mbërritur nga Parma, ku u dërgua Cassano, mund të kalojë i huazuar në një skuadër tjetër të Serisë A për sezonin në vazhdim, pasi me Eto’o, Milito, Icardi dhe Palacio, hapësirat për të në sulmin zikaltër do të ishin të pamjaftueshme.

Top Channel