F1, Alonso: Dua të fitoj në Spa

20/08/2013 00:00

Përfunduan pushimet për pilotët e Formulës 1 dhe tashmë është radha e Cmimit të Madh të Belgjikës. Fernando Alonso po e pret me padurim këtë garë që nuk e ka fituar kurrë gjatë karrierës.

“Kurrë nuk kam qenë në kushtet për të luftuar për fitoren në këtë garë. Shpesh jam tërhequr dhe do të ishte mirë që këtë herë t’i kompensoja këto rezultate të dobëta me një fitore”, theksoi piloti i Ferrarit.

Sipas Alonsos, pista Spa-Francorchamps është ndryshe nga çdo pistë tjetër e botërorit të Formulës 1: “Të pilotosh në Belgjikë është speciale. Një xhiro në Spa është sa 20 xhiro në çdo pistë tjetër pasi të jep shumë emocion me kthesat e shpejta dhe ulje-ngritjet. Eau Rouge është një kthesë e mrekullueshme që merret në ngjitje me 300 km/h. Mendoj se është kthesa më e bukur e kampionatit.”

Gara e ardhshme e botërorit të Formulës 1 do të jetë Cmimi i Madh i Belgjikës në pistën e Spa-Francorchamps (25 gusht). Provat zyrtare të së shtunës dhe garën e së dielës do të mund ta ndiqni drejtpërdrejtë në Top Channel.

Top Channel