Seanca në Gjykatën Administrative, Plarent Ndreca: U pa qartë që prokurori që arrestoi Erion Veliajn nuk i plotëson kriteret
Ana Sulçe, 21-vjeçarja që u plagos nga shqiptari i Maqedonisë Agim
Emini, ku ky i fundit vrau edhe veten në një prej hoteleve në periferi
të Tiranës, ka pranuar që të japë dëshminë e saj para policisë.
Oficerët e intervistuan në ambientet e Spitalit Ushtarak, ku 21-vjeçarja vazhdon që të mjekohet pas plumbit të marrë në pjesën e barkut. Tri ditë pas ngjarjes, grupi hetimor shkoi në spital për t’i marrë dëshminë, por 21-vjeçarja refuzoi me pretendimin se nuk ndihej mirë nga ana shëndetësore. “Nuk jam në gjendje që të flas, sepse më vjen për të vjellë”, u shpreh Sulçe para oficerëve, ndërkohë që dje, ajo ka rrëfyer njohjen me 52-vjeçarin dhe ka treguar sesi ka rrjedhur ngjarja e 14 gushtit.
Dëshmia e vajzës
Duke marrë parasysh gjendjen e vajzës, policia ka shkuar dje në spital, ku studentja ka pranuar që të flasë, duke treguar versionin e saj të krimit. Sipas dëshmisë, historia e njohjes mes saj dhe Eminit ka nisur dy vjet më parë. Ata janë njohur në avionin e linjës Itali-Maqedoni. Gjithçka ka nisur si një bisedë normale mes dy personave. Kur kanë zbritur në aeroport, 52-vjeçari i ka ofruar ndihmë vajzës. Ata kanë pirë një kafe në Shkup dhe biseda duket se ka qenë mjaft e ngrohtë për të dyja palët. I tërhequr prej studentes, i ndjeri e ka pyetur nëse ai mund ta çonte me automjetin e tij personal drejt Shqipërisë. Vajza nuk ka refuzuar dhe menjëherë i ka thënë që mund ta shoqëronte. Pas kësaj, miqësia e tyre ka vijuar në distancë, ku Agim Emini e merrte shpesh në telefon. Sipas policisë, vajza kishte shkuar disa herë në Maqedoni për t’u takuar me mikun e saj dhe anasjelltas. Ndjenjën e thellë që kishte për 21-vjeçaren, Agim Emini ia kishte shprehur për të disatën herë, por pavarësisht kësaj, vajza pretendon se nuk ka pranuar që të nisë një lidhje intime me Eminin, sepse nuk i zinte besë. Ajo e akuzonte shpesh për mashtrim dhe prej frikës që ndiente prej tij, nuk mund të krijonte asnjë lidhje. Refuzimi i prerë i vajzës nuk u pranua asnjëherë prej 52-vjeçarit. “Ai më merrte në telefon vazhdimisht. Kërkonte që ne të dy të kishim marrëdhënie intime, por unë nuk doja. Kjo gjë e acaronte dhe ai nuk donte që t’i ndërprisnim kontaktet, sepse unë nuk kam pasur asgjë me atë njeri. Kohët e fundit ishte bërë mjaft i bezdisur, sidomos gjashtë muajt e fundit. Kërkoja që të shkëputesha prej tij, por ishte e pamundur. Ai nuk hiqte dorë”, mësohet nga policia të jetë shprehur Sulçe. Më 9 gusht, Agim Emini ka ardhur në Shqipëri dhe është akomoduar në të njëjtin hotel që kishte ardhur edhe herët e tjera. Për 5 ditë me radhë, ai e ka telefonuar vajzën për t’i kërkuar takim. “Që kur erdhi në Shqipëri më merrte shpesh në telefon. Unë i thosha nuk vij te ty, sepse ti je mashtrues. Kështu e quaja gjithmonë, sepse shumë gjëra nuk më bindnin tek Agimi. Ai ngulmoi që ta takoja. Më tha që të shkoja ta takoja vetëm dy minuta, për të më treguar se më donte vërtet dhe që nuk më mashtronte. Shkova ta takoja pas 5 ditësh lutje, në adresën që më kishte dhënë. Pimë një kafe jashtë ambientit të hotelit, për të dëgjuar se çfarë kishte për të më thënë, edhe pse e dija shumë mirë këtë gjë”, ka treguar vajza në polici.
Momenti i krimit
Gjithashtu para grupit hetimor, ajo ka kujtuar momentet e tmerrit që ka përjetuar. Nuk e dinte që ai do të ishte takimi i fundit me Eminin dhe se do të mbetej e plagosur rëndë. “Ai tentoi që të më mbushte mendjen se më donte seriozisht, por unë isha e bindur që duhej të shkëpusja çdo marrëdhënie me atë person. Debatuam disa minuta gjatë kohës që po pinim kafen. U ngjita në katin e dytë të hotelit për të shkuar në tualet, sepse më kishin thënë se aty ndodhej. Kur çfarë të shoh, Agimi më kishte ardhur nga pas dhe në dorë mbante një pistoletë. Më tha që të më bindte mua se sa më donte do të vriste veten para syve të mi. Më pas ndërroi mendjen dhe më tha se do e vriste veten, pasi të më vriste mua. U ndjeva e tmerruar dhe nisa të kërkoj ndihmë. Më kapi nga fyti dhe më kishte drejtuar armën te koka. Pastaj unë arrita të shpëtoj prej tij dhe nisa të zbres shkallët, por ai qëlloi mbi mua. U shtriva për tokë, sepse mbeta e plagosur. Ai kërkonte që të qëllonte sërish mbi mua, por iu bllokua arma. Mbaj mend që pastruesja e hotelit u ngjit lart dhe ai e kërcënoi se do e vriste nëse nuk largohej. Më pas nuk pashë se çfarë ka ndodhur, se u largova me taksi për në spital”, ka treguar vajza versionin e saj në polici. Ndërkaq, pas transportimit të vajzës për në spital, në vendin e ngjarjes ka shkuar policia. Kjo e fundit e ka gjetur 52-vjeçarin me armë zjarri në dorë dhe në momentin që ai ka parë uniformat blu, ka qëlluar mbi veten në pjesën e kokës, ku edhe gjeti vdekjen e menjëhershme. I ndjeri njihej nga autoritetet maqedonase si person me precedentë penalë. Në gjërat personale të viktimës është gjetur edhe një dokument policie, por që rezultoi i falsifikuar. Ndërkaq, edhe identiteti që Agim Emini ka përdorur, rezulton i rremë, pasi emri i tij i vërtetë është Qemaladin Adili. Viktima, përveç trafikimit të lëndëve narkotike në vende të ndryshme të Europës, njihet edhe si ekspert e falsifikimit të dokumenteve dhe si pasojë e këtij aktiviteti, ai ka vuajtur disa vite burg. Policia e klasifikoi ngjarjen si krim pasioni, ku u dyshua se 52-vjeçari e kreu krimin për motive xhelozie. Ngjarja e rëndë ndodhi në një hotel në rrugën “Tre Vëllezërit Kondi”, pranë vilave gjermane, më 14 gusht të këtij viti.
Top Channel