Dalin në shitje biletat e Brazil 2014

20/08/2013 15:35

Biletat e Botërorit të vitit 2014 dolën në shitje këtë të martë, me tifozët nga e gjithë bota që mund të aplikojnë për një biletë në faqen zyrtare të FIFA-s.

Nga ana e saj, FIFA pret një kërkesë të ngjashme me Botërorin e Gjermani 2006-s, ku për çdo biletë të 64 ndeshjeve të turneut, kishte një kërkesë prej shtatë personash mesatarisht.

Rreth 3,3 milionë bileta do të dalin në shitje për këtë turne.

Ndërsa çmimi për fazën e grupeve varion në 90 dollarë ndeshja, ai do të shkojë deri në 990 dollarë për finalen e madhe të “Maracana”-së.

Vetëm shtetasit brazilianë mbi 60 vjeç, studentët vendas dhe anëtarë të disa programeve sociale do të kenë ulje, me biletat që për ta do të shiten me çmimin fillestar të 25 dollarëve.

Për të gjithë aplikuesit, në datën 10 tetor do të hidhet një short i thjeshtë, i cili do të përcaktojë fituesit, ndërsa biletat e mbetura do të fillojnë të shiten nga data 5 nëntor.

Top Channel