Champions, vendimtar për arkat e Milanit

20/08/2013 13:35

Përballja në plejofin e Champions League me PSV-në, nuk vë në lojë vetëm një biletë për fazën e grupeve dhe prestigjin e Milanit, por edhe të ardhmen ekonomike të klubit të famshëm milanez.

Pas disa vitesh reduktimi të shpenzimeve dhe pagave, Milani tashmë ndodhet në një situatë në të cilën mund të mbajë veten vetëm nëse arrin të kualifikohet dhe në rast dështimi, atëherë klubi do të ishte i detyruar të rikthehej tek shkurtimet e dhimbshme e mbase edhe në shitjen e ndonjë futbollisti elitar.

Në një artikull të “La Gazzetta dello Sport”, e përditshmja italiane shpjegonte se kualifikimi, për Milanin është një çështje prej minimumi 30 milionë eurosh.

8,6 milionë euro vijnë direkt nga kualifikimi në grupe, ku çdo fitore paguhet me 1 milionë dhe çdo barazim me 500 mijë më shumë.

Megjithatë, falë luftës së ashpër për të drejtat televizive midis “Sky” dhe “Mediaset”, Italia është shndërruar në një prej vendeve që paguan më shumë për të drejtat televizive në Champions dhe klubi do të përfitonte afërsisht edhe 20 milionë më shumë, për vetëm gjashtë ndeshjet e grupit, pa llogaritur këtu fitimet nga biletat dhe sponsorët.

Në rast kualifikimi, pa dyshim, përfitimet do të rriteshin paralel raundit në të cilin klubi mund të avancojë.

Nga ana tjetër, ndërsa Berlusconi, nëpërmjet kompanisë së tij të investimeve ka kaluar tek klubi mbi 600 milionë euro që prej vitit 1986, në epokën e krizës ekonomike dhe kufijve të vendosur nga UEFA, Milani duhet të mbijetojë pa mbështetje.

Në vitin 2011, klubit iu kaluan 87 milionë euro nga kompania e Berlusconit, ndërsa një vit më vonë edhe 29 milionë euro të tjerë.

Falë politikës së kursimeve, reduktimit të pagave dhe blerjeve me kosto të lirë në merkato, që prej janarit të 2013, Milani është i vetmjaftueshëm përsa i përket llogarive financiare, por kjo mbetet e vërtetë përsa kohë klubi do të arrijë të kualifikohet në Champions.

Top Channel