Champions, Milani barazim me vlera në Holandë

20/08/2013 23:50

Milani ka arritur të marrë një barazim me shumë vlerë në Holandë, ku ka zhvilluar ndeshjen e parë të fazës “play-off” të Champions League, përballë PSV Eindhoven.

Kuqezinjtë kanë vuajtur për këtë barazim 1-1, megjithatë goli i shënuar në transfertë vlen shumë për ta.

Në minutën e 15-të, një aksion perfekt sjell zhbllokimin e ndeshjes nga El Shaarawy. Minutat më pas flasin për holandezët, që luajnë shpejt, duke vënë në vështirësi shpesh herë Milanin.

Gjithsesi, skuadra e drejtuar nga Cocu gjen golin e barazimit në pjesën e dytë. Një top, që nuk ndalet dot nga Abbiati, shndërrohet në gol nga Matavz.

Edhe pse u tentua goli i fitores nga Milani, deri në fund nuk u arrit.

Ndërkohë, Real Sociedad ka befasuar Lionin në shtëpinë e tij, pasi e ka mundur 2-0. Griezmann, në pjesën e parë, dhe Seferovic, në të dytën, vulosin këtë fitore shumë të rëndësishme.

Në ndeshjet e tjera, Zeniti shkatërron 4-1 portugezët e Pacos de Ferreira, ndërsa Celtic u mund 2-0 nga kazakistanasit e Karagandit, që eliminuan Skënderbeun.

Fitore ka arritur edhe Victoria Plzen, 3-1 ndaj Mariborit. Ndeshjet e kthimit të kësaj faze do të zhvillohen pas një jave.

Top Channel