Schuster: Në kohën time merrnim pilula

19/08/2013 00:00

Bernd Schuster, ish-lojtar i kombëtares gjermane dhe aktualisht trajner i Malagës në Spanjë, është shprehur në favor të dopingut për të përshpejtuar rekuperimin e lojtarëve nga dëmtimet.

“Nuk është problem dopingu kur flitet për rigjenërim. Nuk po flas për rritjen e rendimentit të një lojtari në fushë, por për ta kthyer lojtarin më shpejt nga një dëmtim i pësuar”, tha Schuster për ‘Sport Bild’.

Ish-mesfushori kujton se në kohën kur ai ishte futbollist (ka luajtur për Këlnin, Barcelonën, Realin, Atletikon dhe Bajer Leverkusenin) dopingu nuk ishte temë diskutimi sepse nuk ekzistonte si koncept, por mjekët gjithmonë i jepnin lojtarëve medikamente të ndryshme.

“Të gjithë merrnim pilula të ndryshme, por jo stimulues. Mjekët dhe fizioterapistët na jepnin gjithmonë diçka dhe askush nuk pyeste se për çfarë bëhej fjalë”, tha Schuster.

Top Channel