Juventus fiton Superkupën e Italisë

19/08/2013 00:00

Trofeu i parë i këtij sezoni në Itali i shkon Juventusit. Bardhezinjë e Antonio Kontes kanë fituar për herë të gjashtë në historinë e tyre Superkupën e Italisë pasi kanë mundur 4-0 Lacion në finalen e zhvilluar në Olimpiko të Romës.

Ndeshja është zhbllokuar në minutën e 23 kur Pogba realizon vetëm 2 minuta pasi është futur në lojë si zëvendësuesi i Markizios. Në të vërtetë ka qenë një skemë perfekte ajo e nisur nga këmbët e Pirlos për të përfunduar tek francezi e më pas në rrjetë.

Në fillimin e pjesës së dytë është Kielini që duket se mbyll këtë finale me golin e dytë dhe brenda 4 minutash shënohen edhe dy gola të tjerë duke çuar në 4-0 rezultatin e kësaj finaleje, ndërkohë që ky gol i katërt realizohet nga blerja e re e Juventusit, Karlos Teves, pas një aksioni perfekt.

Në një situatë të tillë të mbetet pak për të thënë, ky Juventus duket se ka ende shumë për të dhënë dhe mbi të gjitha shumë dëshirë për të fituar.

Top Channel