Ish-ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, denoncoi atë që quajti gjendje tejet kritike, në qendrën e Traumës pranë ish-Spitalit Ushtarak, në Tiranë.
Nënkryetari i LSI-së deklaroi se mjekët dhe pacientët, këta të fundit të shtuar në numër në këto ditë vere, po përballen me mungesa të jashtëzakonshme të medikamenteve dhe aparaturave spitalore, duke rrezikuar jetën e dhjetra njerëzve, ndërsa qeveria është me pushime, siç deklaroi ai.
“Kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë të lënë plazhin dhe t’u vijnë në ndihmë njerëzve, që po luftojnë për jetën, një ndihmë e munguar kushton jetë njerëzish. Qeveria të mos merret me tensione të stisura për ca zyra më shumë”, deklaroi Vasili.
Aktualisht, të gjithë shtretërit e reanimacionit janë të zënë, ndërsa
mjekët e spitalit, zyrtarisht i njohur si Spitali i Traumës, janë
detyruar të shkëpusin aparate të frymëmarrjes artificiale nga sallat e
operacionit, për t’i ardhur në ndihmë të shtruarve në repart.
“Ne
vlerësojmë punën e jashtëzakonshme të stafit, por shërbimi i traumës
mbetet në një situatë kritike. Kushtet e punës në shërbim janë shumë të
vështira dhe qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme për
përmirësimin e situatës”, deklaroi Vasili.
Zëvendëskryetari i LSI-së, gjithashtu kërkoi që qeveria e re të hartojë
një strategji të qartë për të përmirësuar shërbimin në këtë spital,
teksa akuzoi qeverinë Berisha se “tashmë ndodhet me pushime”.
Tjetërsimi i SHQUP-it
Vasili: Kush ka shkelur ligjin, duhet të përballet me të
Duke e konsideruar debatin për tjetërsimin e SHQUP- it në zyra të PD-së si një çështje të hapur pikërisht tani, për të tërhequr vëmendjen e medias dhe opinionit publik nga mungesa e qeverisjes, Petrit Vasili tha se qeveria e re do të shohë qetësisht të gjitha rrugët ligjore dhe jo të tilla, që u ndoqën në këtë procedurë.
Çdokush që ka shkeluar ligjin – tha ai – duhet të shqetësohet nga përballja me të.
“Mazhoranca e re do të kalojë në skaner të gjitha veprimet, që jane bërë për tjetërsimin e kësaj prone të ushtrisë. Shkelja e ligjit ka përgjegjës. Kush e ka bërë duhet të shqetësohet, kush respektoi ligjin duhet të rrijë i qetë”, theksoi Vasili.
Top Channel