Superkupa, Skënderbeu fiton me penallti ndaj Laçit

18/08/2013 21:55

Është zhvilluar në “Qemal Stafa” të kryeqytetit ndeshja e vlefshme për Superkupën e Shqipërisë, e diskutuar mes Skënderbeut, kampion në fuqi në futboll, dhe Laçit, si fitues i Kupës së Republikës.

Ndeshja ka qenë e barabartë deri në fund të kohës së rregullt, ku u shënuan nga një gol në secilën pjesë, Pejiç për Skënderbeun në të parën dhe Carls për Laçin në të dytën.

Edhe akordimi i dy kohëve shtesë prej 15 minutash secila nuk ka sjellë asnjë ndryshim rezultati, ndaj dhe ekipet i janë drejtuar goditjeve të 11-metërshave, nga ku skuadra korçare ka rezultuar më e sukseshme.

Radas, Pejiç, portieri Shehi dhe Fagu kanë konvertuar gjuajtjet e tyre në gola, ndërsa Ademir ka qenë i vetmi nga Skënderbeu, që nuk ka realizuar. Ndërkohë, te Laçi kanë gabuar Zefi dhe portieri Bakaj, pavarësisht se Buljan, Veliaj dhe Teqja kanë mposhtur portierin kundërshtar nga penalltitë.

Skënderbeu shënon për herë të parë emrin në listën e fituesve të Superkupës së Shqipërisë, një sukses që vjen në vazhdën e 3 kampionateve radhazi të fituar në këto sezonet e fundit të Superiores.

Top Channel