Një aksident i rëndë për pak u ka kushtuar jetën tre të miturve në qytetin e Beratit.
Aksidenti ka ndodhur në lagjen “Dëshmorët e Kombit”, në vendin e quajtur Kinoklubi.
Ndërsa kanë qenë duke vrapuar, fëmijët u kanë shpëtuar prindërve duke dalë në rrugën kryesore, ku qarkullonin makinat.
Burime të policisë bëjnë me dije se një mjet, tip “Citroen” fuoristradë, ka goditur tre vogëlushët, dy prej të cilëve vëlla e motër, 3 dhe 7 vjeç, si dhe një i afërm i tyre 4 vjeç, të cilët kanë qenë duke vrapuar nga njëra anë e rrugës, në tjetrën.
Drejtuesi i mjetit, 53-vjeçari Lulzim Dudushi, është munduar të frenojë mjetin, por për shkak të shpejtësisë nuk ka manovruar dhe ka goditur tre fëmijët, të cilët janë dërguar në spitalin e qytetit.
Sipas burimeve spitalore, fëmijët janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit.
Top Channel