Arben Manaj – Rilokimi i Partisë Demokratike në një seli të re dhe tërë procedura e vendimmarrjes, si dhe perspektiva e revokimit të “zgjerimit të shtëpisë së demokratëve”, rikonfirmon brutalisht edhe një herë mungesën ulëritëse dhe të theksuar të artit të kompromisit politik në Shqipëri.
Vetëm transparente nuk ishte mënyra e vetëshpërblimit të partisë nga ish-kreu i saj, ende kryeministër. I dyshimtë dhe jo konform ligjeve duket dekretimi i Presidentit të nxjerrë nga demokratët.
Po aq tëitter-esk duket edhe reagimi i qeverisë në pritje, së cilës duket se i mungon operimi në kanale jopublike, konsultimi me Presidentin, si Kreu i Forcave të Armatosura, i cili veproi ashtu siç do duhet ta kish parashikuar qeveria e muajit të ardhshëm, në këtë çështje që duhet pranuar se nuk është se i lë pa gjumë dhe pa plazh shqiptarët.
Çështja e të ashtuquajturit SHQUP vërtitet mes së drejtës morale për një seli të re për partinë që solli kapitalizmin në Shqipëri dhe padrejtësisë së procedurës, madje pse jo, edhe padrejtësisë së përzgjedhjes së vendit se ku.
Po, SHQUP-i ka një simbolike për brezin e sotëm të të gjallëve oficerë të Ushtrisë shqiptare të kohës së Traktatit të Varshavës pjesërisht dhe kohës së komunizmit ortodoks allashqiptar, por edhe do ta ketë të tillë simbolikë edhe për oficerët e sotëm të rinj në moshë ose në prag pensioni që nesërdej do të dalin në pension, të Ushtrisë shqiptare të NATO-s, ndër më të voglat e aleancës më të madhe ushtarake në botë.
Po, Kryeministri në ikje, dhe po përdor termin e BBC, e “vetëshpërbleu” partinë e ish-sundimtarëve demokratikë në ikje të Shqipërisë, me fshehtësi skuthash.
Por, po, dhe këtu të rrimë shtrembër e të flasim drejt, e meriton kjo parti të ketë një seli më dinjitoze, për shkak të të qenët pasuri kombëtare.
Partia Demokratike nuk është sot në ditët më të mira, pas 23 qershorit, por në demokraci, në kësi ciklesh kalon pa mëshirë çdo formacion politik dhe kjo është e bukura e demokracisë, që të turpëron me votë për t’u vetëpërsosur.
Shpesh nga adrenalina partiake, harrohet se Partia Demokratike është partia e parë e njerëzve që kanë vuajtur shumë më tepër se shumica e heshtur e shqiptarëve në komunizëm.
Është partia e parë e idealeve perëndimore të lirisë dhe tregut të lirë. Është partia që inicioi dhe ka dhënë kontributin e saj të pamohueshëm në transformimin e Shqipërisë, me gjithë problematikën e shumtë, drejt një Shqipërie të 2013-s, që do t’i shkaktonte vdekje nga habia çdo të vdekuri të përpara ‘90-s që do të ringjallej, nëse do të kishte realisht ringjallje fizike.
Partia Demokratike është partia e gjysmës së shqiptarëve që mendojnë ndryshe politikisht nga gjysma tjetër e kombit. Ajo është dhe do të jetë partia e alternativës qeverisëse dhe drejtuesja e ardhshme e këtij vendi, kurdo që shqiptarët t’ia delegojnë këtë nder, siç ndodhi me fituesit e 23 qershorit.
Partia Demokratike ka atë seli që ka aktualisht, e cila liliputizohet në krah dhe përballë ndërtesave të tjera vërdallë dhe përreth, dhe jo dinjitoze për të qenë selia e një partie historike, si PD-ja.
Ashtu si edhe PS-ja, që ka si shtëpi një ndërtesë impozante në qendër të Tiranës, të cilën e trashëgoi ashtu siç e trashëgoi dhe ta gëzojë, edhe PD-ja ka të drejtën e vet legjitime për të pasur një seli po aq impozante dhe funksionale, si edhe kundërshtari i vet politik.
Nëse do të gjykohej se nuk duhet të jetë kështu, do të ishte arsyetim ekstremisht i njëanshëm dhe pa dyshim jo realist dhe jo konstruktiv.
Tirana ka ende hapësira dhe ambiente që do të plotësonin shumë mirë çdo pritshmëri dhe kërkesë të demokratëve për një shtëpi të re të partisë së tyre, pa simbolikën kontraverse, sensibilitetin e kuptueshëm dhe pa probleme pronësie të pazgjidhshme, që do të ishin shumë të lehta për t’u alokuar nga qeveria e re.
Një zgjidhje e mundshme kompromisi, do të ishte ish-Hotel Dajti, një ndërtesë tashmë boshe, e cila me pak fonde dhe shumë dashamirësi qeverie dhe fitimtari politik, mund t’i jepej opozitës politike në vend, edhe pse ajo me sa di, është blerë prej Bankës së Shqipërisë.
Nëse jo ky ambient, ka vende dhe ambiente të tjera, nëse do të mendonte si për veten e saj, qeveria e re dhe kryeministri i ri.
Qoftë edhe si gjest politik ndaj kundërshtarëve të tij në opozitë, do të dukej shumë më rilindës, nëse do të sillej ndryshe dhe do shtrinte dorën e konstruktivitetit dhe paqes me opozitën politike.
Vetëm i fituar do të ishte ai, por edhe nuk do kishte gojë as opozita për të argumentuar për aksione antiopozitare nga Kryeministri i ri.
Edhe pse pikënisja e tërë kësaj “historie vere” shqiptare nuk ishte e ndershme dhe transparente, sërish, si në çdo ngërç, gjendet kompromisi dhe rrugët e të ushtruarit të këtij arti të vështirë, por asesi të pamundur. Kjo është politika, në fund të fundit; nuk është arti i së pamundurës.
Qeveria shqiptare prioritet do të duhet ta ketë, meqë doli në domenin publik, edhe futjen e demokratëve në shtëpi të re, si një problem minor, por gjithsesi më pak, në rrugëtimin e tejzgjatur të futjes së Shqipërisë në shtëpinë e vjetër të europianëve.
Top Channel