F1, Raikkonen: Duhet të fitoj gara nëse dua titullin

16/08/2013 17:15

Kimi Raikkonen renditet i dyti në klasifikimin e pilotëve të botërorit të Formulës 1, 38 pikë pas Sebastian Vettel (Red Bull). Finlandezi i Lotus është tashmë një kandidat për titullin kampion, por vetë ai është i ndërgjegjshëm që do e ketë të vështirë të rrëzojë nga froni gjermanin Vettel.

“I nisa pushimet në vendin e dytë, por për të fituar titullin duhet të fitoj gara. Nuk mjafton podiumi për të luftuar për kampionatin, duhen fitoret”, theksoi Raikkonen, i cili e di mirë se pika e tij e dobët janë provat zyrtare.

“Të shtunat janë të vështira për ne dhe formën e dobët e paguajmë në garë. Tani kanë ndryshuar paksa edhe gomat dhe duhet të kuptojmë se si t’i përdorim”, shtoi finlandezi.

Gara e ardhshme e botërorit të Formulës 1 do të jetë Cmimi i Madh i Belgjikës në pistën e Spa-së (25 gusht). Provat zyrtare të së shtunës dhe garën e së dielës do të mund ta ndiqni drejtpërdrejtë në Top Channel.

Top Channel