Një faqe e bardhë dhe një injorim i domosdoshëm

15/08/2013 00:00

Aleksander Cipa – Prej kohësh e kam rimenduar dhe i përmbahem një
vendimi nominal si gazetar. Një individi politik, nga më abuzantët dhe
më keqbërësit në historinë e krahinës së vogël emërmadhe të Himarës, një
ish-drejtuesi të kësaj bashkie me mëkatësi komplekse si administrator
dhe i rekrutuar në rrethana dhe për shërbesa konspirative dhe
etnopolitike, të mos ia përmend emrin.

E kam fjalën për mospërmendje të emrit në veprimtarinë publicistike dhe analizat politike. Këtij individi mediat e vendit tim, mes të cilave edhe unë, drejtpërdrejt ose indirekt i kemi kryer një shërbim lëvdues për atdheun e tij të rremë, dhe i kemi shkaktuar një pësim atdheut tonë të shtrenjtë.

Lehjet politike dhe natyrisht të paguara të tij, kohë pas kohe i kemi mbajtur vijueshmërisht në fokus. E kemi bërë këtë duke dëshmuar në një lloj mënyre besnikëri ndaj raportimit. Mirëpo jo në të gjitha rastet dhe ciklin shfaqës të tij, i jemi përmbajtur analizës logjike, vlerës drejtpeshuese dhe peshës specifike të fjalës së tij. Padashur jemi bërë mjete dhe infrastrukturë në dispozicion dhe për qëllim të lehjes së dëmshme politike dhe etnonacionaliste të këtij individi politik.

Prej kohësh gjendem në ngasjen dhe meditacionin analitik për një konsensus të tillë profesional. E kam shumëmenduar dakordësinë për një vendim të tillë nga të gjitha mediat profesioniste të vendit. Është fjala për të injoruar një keqbërës të tillë dhe jo për të censuruar një realitet. Beteja e bindjes me realitetin faktologjik në gazetari është e gjithëjetshme. Mirëpo këshilla e misionit logjik për informim është e tillë sa vetë lashtësia e raportimit. Në rastin e individit të cilit i referohem etikisht në hyrje të këtij shkrimi, ne dhe mediat tona në përgjithësi, nuk jemi dëshmuar në lartësinë e kësaj përgjegjësie dhe mbetemi fatkeqësisht në kazusin e përgjegjshmërisë së tradhtuar kombëtariste. Individi politik në fjalë, falë mediave dhe fokusimit të vijueshëm të tyre, ia ka dalë të shkaktojë përgjatë dekadës së fundit jo vetëm irritime në mjedisin publik dhe politik shqiptar, por të vërë njëkohësisht në lëvizje gjithë infrastrukturën e reagimeve panhelenike në BE dhe SHBA. Falë kësaj propagande dhe indicieve të tij përmes një protagonizmi të mirëmenduar ia ka dalë, fatkeqësisht edhe falë mediave të Shqipërisë së sotme, të pasqyrojë sikur Shqipëria është një vend problematik për trajtimin e minoriteteve etnike. Këtë rol të mirëpaguar, ky individ e mori përsipër kryesisht pas viteve 2000 dhe për çdo pohim apo reagim të tij, mediat tona ose çelnin edicionet informative, ose realizonin speciale të njëpasnjëshme, duke krijuar një zhurmnajë dhe duke shkaktuar deri edhe ngërçe marrëdhëniesh mes dy shteteve, përkatësisht Shqipërisë dhe Greqisë.

Kjo qasje, dhe sidomos bindja ime për të ngritur zërin për një konsensus të tillë profesional mes gazetarëve shqiptarë, m’u bënë edhe më të forta, ndërsa gazeta e përditshme “Dita”, përmes një qëndrimi editorial dhe një faqe të bardhë, sugjeroi këtë përgjigje për çdo lajm që vjen nga Partia ekstremiste greke Agimi i Artë. Natyrisht një qëndrim që pasoi incidentin që shkaktuan dy truproja të kësaj force politike në Greqi, emigrantë nga Lukova dhe Himara, në ditën e 3-vjetorit të vdekjes së të riut A.Guma. Një vrasje, e cila prej segmentesh nacionaliste dhe grekofilisë në Shqipëri po keqpërdoret për t’u formësuar si kazus i heroizmit të helenizmit në Himarë. Këta monstra politikë që kanë shokuar krejt opinionin e Greqisë fqinje, e cila është e shembur në tabanin e një humnere financiare, duke shfrytëzuar anarkinë e një shteti që përpëlitet në kthetrat e krizës së falimentimit ekonomik, gjejnë mundësinë të depërtojnë lehtësisht dhe pa pengesa në një territor të pakontrolluar si Shqipëria. Ata ripërsëdytin hyrje-daljet në një shtet që nuk respekton dhe mban në fuqi asnjë prej kritereve bazikë të sigurisë dhe rendit kombëtar. Falanga të tilla, të cilat për ironi të fatit zotërojnë asete dhe prona e pse jo, edhe resorte në Republikën e Shqipërisë, të veshura me bluzat e zeza të kryqtarëve injorantë naziskinë, me dy pasaporta dhe me një ndërgjegje vrastare antishqiptare, ia dalin të depërtojnë në thellësi të territorit administrativ të Republikës, deri në një qytezë si Himara, që nuk ka lidhje dhe fqinjërim as me zonat minoritare greke dhe as me kufirin shtetëror! Ata lehtësisht kryejnë rite dhe procesione politiko-etnike duke ia dalë të shkëmbejnë rolet dhe herë-herë, edhe kapitujt e incidenteve etnike me farën e bollanistëve apo dikujt tjetër. Kjo skotë dhe kësi falangash etnokriminale, kohë pas kohe alternohen edhe me një kategori politikanësh lokalë për të ngjizur në një territor jominoriteti kreatura të lëngatës etnike dhe të drejtës së palegjitimuar të të quajturit minoritarë.

Ka mbi 10 vjet që përfaqësimi politik i minoritetit grek në Shqipëri është transferuar në një mjedis ekstraminoritar si Himara. Në fillim të viteve 1990, kryeqendra e artikulimit për të drejtat e minoritarëve grekë në Shqipëri ishte Gjirokastra, më saktë fshati Dervician, ku jetojnë minoritarët natyralë grekë. Disa vite më vonë, qendra e organizatës më të bujshme politike të minoritetit OMONIA u vendos në qytetin e Sarandës, ku minoritarët janë të vendosur kryesisht në zonën e Vurgut, rreth Finiqit e ndonjë fshat tjetër në Delvinë. Ndërsa pas viteve 2000 ky përfaqësim, për arsye dhe motive lehtësisht të nënkuptueshme, u zhvendos në Himarë, ku në tre fshatra të saj kemi një bilinguaritet dhe në katër vetëm përdorim të shqipes. Mirëpo tashmë Himara, falë një qëndrimi të lexueshëm dhe një force të fuqishme investuese dhe financimi nga qarqe greke, nga segmente institucionale të Greqisë fqinjë dhe sidomos falë një interesimi të alternuar nga targetet e diasporës greke në SHBA, u bë e besuara e këtij përfaqësimi grek në Shqipëri. Ky transferim përfaqësimi çuditërisht është lënë në heshtje dhe nuk është përfshirë në asnjë rast në raportimin e mediave dhe gazetarëve tanë. Kjo periudhë, nga viti 2000 deri në ditët e sotme, vijon të jetë në këtë lloj përfaqësimi. Ndonëse tashmë e tradhtuar prej një fakti shumë kokëfortë: subjektet politike të minoritetit grek, gjatë dy tureve të fundit zgjedhore, kanë mundur të marrin në Himarë një numër jashtëzakonisht të vogël votash, madje një sasi tejet të papërfillshme. Mirëpo mbështetja përmes votës, duket se është informalizuar!!! Subjektet politike të përfaqësimit grek në Shqipëri si PBDNJ-ja, OMONIA dhe së fundi edhe MEGA, edhe pse nuk kanë më të gjitha së bashku shumicë votash në Bashkinë e Himarës apo këtë krahinë, kanë ende ekskluzivitetin e një përfaqësimi oportun politik, i cili në thelbin dhe semantikën reale të tij shpreh një pakujdesi antikombëtare prej dy forcave kryesore politike PD, PS dhe në mënyrë të veçantë, prej qeverive të majta apo të djathta qofshin.

Por tashmë edhe qeveritë që na dhurojnë këtë pakujdesi antikombëtare, edhe dy partitë kryesore, në Himarë falë edhe pakujdesisë deri në antikombëtarizëm të mediave, ia kanë dalë ta ngrenë “kauzën” greke të Himarës. Falë këtij raportimi jo inteligjent dhe më intensiv se për çdo çështje tjetër të realitetit sociopolitik shqiptar është bërë e mundur të tërhiqet vëmendja dhe të zërë vend në krejt hapësirën mediatike ndërkombëtare dhe sidomos atë europiane dhe greko-amerikane. Kjo është një punë fatkeqësisht e pazhbëshme dhe që rezulton të mbetet në vlerën e pësimit kombëtar. Aq sa edhe zërat dhe qenësia shqiptare e mijëra bijve të Bregut të Detit populisht vihen në dyshim dhe malinjisht e qëllimisht lihen të injoruara prej kësaj fushate të gjatë tranzicioni. Në këtë kuptim, epoka e tranzicionit postkomunist në Himarë është përkthyer vetëm si kohë në kërkim të një statusi minoritar. Ky është një iluzion dhe një propagandë me pasoja të sotme dhe të ardhme për këtë krahinë dhe sidomos breznitë e banorëve të saj. Për këtë iluzion dhe realitet ekstrareal, kontributorë të vetëm mbesin së pari politika greke, ajo lokale, mediat dhe oportunizmi i qeverive të tranzicionit shqiptar.

Duke iu rikthyer apelit të editorit të gazetës “Dita”, njëherazi do të doja të shprehja mendimin dhe bindjen time se ky është një qëndrim në nivel të lartë logjik. Një qëndrim i tillë vlen të përvetësohet prej editorëve të medias kombëtare shqiptare. Kjo është një mënyrë e meritueshme inteligjente për të qenë në lartësinë e ndërgjegjes kombëtare si media dhe si gazetarë. Pas kësaj, në epiqendër të lajmit apo të kamerës sonë nuk duhen vënë fytyrat e neoandartëve të mender Agimit të Artë, por ata policë dhe ato institucione të rendit dhe sigurisë kombëtare që sillen si mjeranë e sakatë kudo qofshin, në territorin e republikës sonë.

Duke u marrë me policët, shikasit, institucionet dhe qeverisësit detyrë mosbërës ne dëshmojmë besnikëri dhe përgjegjësi njëkohësisht ndaj detyrës sonë, atdheut dhe shtetdashjes, por, nga ana tjetër, i kundërvihemi nacionalizmit agresiv e ekstremist të fqinjëve tanë me rritje të forcës vepruese të ligjit dhe shtetdashjes kombëtare. Në këtë mënyrë evitojmë keqpërdorimin e produktit tonë raportues dhe informues prej segmenteve dhe strukturave etnopolitike të fqinjëve. Falë kësaj përgjegjshmërie të domosdoshme ne do të nisim të zhbëjmë atë metaforë të ekzagjeruar të pseudominoritetit grek në Himarë, i cili gjen dhe shton si prova disa individë, por nuk gjen dhe trashëgon dot një fondament dhe aq më tepër trashëgimni etnoantropologjike. Lehja dhe ankimtaria e paguar heleniste në këtë krahinë kaonike mbetet një kronikë mëtuese rekrutësh që kanë trashëgimni të tillë në breza, por nuk kanë gjenealogji të tillë në etni. Është momenti t’i përmbahemi një qëndrimi dhe ndërgjegjeje të tillë europianiste, e cila eviton çdo agravim acarimesh në raportet mes Greqisë dhe Shqipërisë, por në mënyrë përmbajtësore, mes shqiptarësisë dhe grekësisë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA