Menjëhershmëria e nevojës për një media të lirë

15/08/2013 00:00

Arben Manaj – Nëse media shqiptare ka ato simptoma disfunksionaliteti të
njohura nga të gjithë specialistët e fushës, në një analizë të fundit,
kjo vjen jo për shkak të mungesës së profesionalizmit, sesa për shkak të
një raporti të shpërfytyruar dhe të pashëndetshëm mes saj dhe
politikës.

Është një raport i diktuar prangosje për një sërë arsyesh dhe rrethanash, që e kanë origjinën në fillesën e varfër dhe rishtare të këtij pushteti në Shqipërinë kapitaliste, por që janë të ngjashme me shumë nga vendet që i kanë hyrë vetëm dy dekada më parë pluralizmit të gjithçkaje, përfshi edhe atij mediatik.

Në postkomunizëm, media shqiptare është ndër ato sfera që përjetuan Rilindje në tërë kuptimin e fjalës, që nga standardet profesionale e deri te formati dhe teknologjia.

Kërcënimi më i madh ndaj lirisë konkurruese dhe suksesit të saj ka qenë dhe mbetet interferenca e politikës te media dhe varësia e kësaj të fundit për mbijetesë nga lidhjet me politikën e ditës.

Dhe këtu ka shembuj të shumtë të shëmtuar në thuajse çdo medium, si të luftës që qeveritë i kanë bërë segmenteve të caktuara të saj, për shkak të linjës së tyre editoriale apo afinitetit politik, duke i shndërruar ato në avangarde të shoqërisë shqiptare, ashtu edhe të vetëlëpirjes, nënshtrimit deri në grotesk ndaj tenderdhënësve apo reklamëshpërndarësve. Apo edhe shndërrimit të tyre në kobure ndaj mediave të tjera shqiptare në duart e pushtetit.

Kjo ka çuar në parcelizim të modeleve, ku disa media trajtoheshin si të nënës dhe pjesa tjetër si e njerkës. Në vartësi të këtyre lidhjeve, merrte formë edhe raporti i politikës me median, që shfaqet dukshëm sa në pjesëmarrjen e ose mospjesëmarrjen e krerëve të saj në formate të ndryshme, kryesisht opinionbërëse të këtyre institucioneve mediatike.

Është normale, edhe pse jo e pranueshme, që çdo qeveri të tentojë të përdorë një medium apo korporatë mediatike për të përçuar mesazhin e saj te publiku dhe teleshikuesi.

Kështu ka ndodhur historikisht, por edhe gjetkë, siç vërtetoi edhe eksperienca e fundit e politikës britanike në marrëdhëniet e saj me median vendase, apo siç edhe ish-kryeministri-konsulent Bler deklaroi në hetimin e fundit Chilcot.

Ai nuk e fshehu objektivin dhe nevojën e tij për të pasur marrëdhënie të mira, madje deri në kumbar të vajzës së një prej manjatëve më të mëdhenj të medias botërore dhe asaj britanike Ruper Murdoch, kuptohet në këmbim të një pasqyrimi favorizues ndaj qeverisë dhe politikave të Blerit.

Është normale që zëdhënës apo shefa departamentesh të komunikimit të qeverisë apo këshilltarë mediatikë të kryeministrave të krijojnë lidhje dhe raporte të çuditshme me gazetarë dhe rrjete të ndryshme televizive apo drejtues mediash, për të gjetur kohën e duhur për të varrosur lajme të këqija për qeverinë, në një kohë oportune për të dhe për të jetësuar lajme të mira që e nxjerrin qeverinë nën një dritë vezulluese, që jo gjithmonë është natyrale.

Por ajo që është jonormale, është që gazetaria të bëjë lojën e tyre, në dëm të dinjitetit dhe misionit që ka ndaj informimit të saktë dhe të pavarur të publikut, si pushtet më vete.

Marrëdhëniet me njerëzit e qeverisë apo opozitës dhe ata që mbulojnë median janë të domosdoshme për të bërë punën dhe për të nxjerrë lajmin apo për të parë pas lajmit zyrtar.

Por ajo që ende nuk kuptohet nga politika është ndërvarësia e patjetërsueshme dhe domosdoshmëria për të mos vrarë mesazherin.

Qeveritë dhe kryeministrat janë të përkohshëm në këtë botë demokratike që kemi hyrë, ndërsa gazetaria është aty dhe i mbijeton çdo qeverie dhe kryeministri.

Nëse sot flitet dhe është bërë e modës fjala Rilindje, ajo do të duhet të fillojë urgjentisht te media dhe raportet me të.

Nëse ka dëshirë dhe vullnet për këputjen e zinxhirit të ndërvarësisë ekonomike të mediave nga fituesit e radhës të zgjedhjeve të përgjithshme, dhe krijimin e një kuadri qoftë edhe ligjor, ku mediat të jenë të lira në konkurrencë të ndershme dhe të barabarta ndaj financimeve publike, që janë pjesa e luanit në realitetin shqiptar, apo edhe reklamave private që shkojnë aty ku qeveria i shkel syrin një mediumi, do të ishte në fund të fundit një arritje dhe kontribut i madh për pavarësinë e medias.

Ajo do të përbënte një premisë më të mirë për një qeveri të shëndetshme, e cila është nën lupën e medias për të administruar më mirë dhe pastër.

Është në të mirë të çdo qeverie dhe politikani që të ketë një media që i rri gardian, sesa një media që i lëpihet dhe e merr në qafë tek e fundit, nëse do t’i besonin asaj thënies lapidare të shkodranëve, që “nëse do ta shikosh keq tjetrin, bëji qefin”.

Nëse Berisha dhe të tjerët përpara tij krijuan një media që në pjesën më të madhe i bënte fresk atij dhe qeverisë së tij, kur ai u shfaqej shqiptarëve çdo vakt, po me atë siguri që u shfaqet luga dhe piruni gjatë ditës, Rama do të duhet ta përmbysë këtë fenomen.

Nëse ai u krijon akses të barabartë të gjitha mediave dhe trajtim të njëjtë, që lideri i opozitës së nesërme të mos i thotë gazetarit “të fala x ose ipsilonit”, por të shkojë siç shkoi Rama nga viti i fundit tek të gjitha mediat, do t’i njihet si një arritje.

Por nisur nga dashuria e tij për konsulenca e PR, nuk e fus veten tek optimistët, se gjërat do të ndryshojnë rrënjësisht edhe pse mund të mos jenë njësoj si në kohën e Berishës.

Rama ka kërkuar që RTVSH-ja publike t’i rikthehet publikut. Në kushtet siç është sot ky medium, është fatkeqësisht një ëC publike, dhe si e tillë, një humbje kohe dhe hapësire.

Edhe pse shikohet në disa pjesë të thella të vendit dhe mund të ketë një lloj ndikimi politik të debatueshëm, ky institucion nga ku kanë dalë gjithë pjesa më e madhe e elitës së gazetarisë shqiptare, dhe nga arkivat e të cilit mbushen jo pak kohë televizive e shumë stacioneve televizive në vend, pra ky institucion, kërkon një transfuzion total, nëse do të duhet të rimarrë pamjen e një institucioni publik si në shumë vende të Perëndimit dhe Lindjes.

Por në qoftë se do të hiqej një kloun partiak për të vënë një kloun tjetër, pak më të sofistikuar sesa paraardhësi, e ku producentët e saj do ta kalonin më shumë kohën duke vegjetuar e duke u ankuar tek ValeVerde, për mosfunksionimin e tij, apo duke menduar sesi të punojnë part-time te media të tjera, kjo mbetet të shihet.

Por ai institucion, ku kam pasur fatin e madh të punoj dy dekada më parë, ka nevojë për drejtues me vizion dhe personalitete të medias shqiptare, që e duan profesionin dhe duan të lënë pas një emër të mirë.

Lipsen administratorë të zotë dhe mbi të gjitha një njeri që të mos i thotë Editorit të çojë një kameraman këtu ose aty, ku shkon kryeministri apo ministri e të mbushë 30 nga 40 minuta edicion, me lajmet e qeverisë, por të krijojë standarde editoriale, ku ata që do drejtojnë departamentet e informacionit, online, apo departamentet e kulturës e etj., të jenë të qetë dhe të përgjigjen vetëm përpara kodeve dhe standardeve editoriale dhe ndërgjegjes së tyre profesionale.

Ky institucion, për opinionin tim jo dhe aq influencues në opinionin, por një lopë që milet nga çdo drejtor, kërkon ndërhyrje vetëm për faktin e vetëm se financohet nga taksapaguesit shqiptarë, që nuk janë vetëm mbështetës të qeverisë, por afro gjysmë për gjysmë mes qeverisë dhe opozitës së çdo kohe.

Ka plot modele të suksesshme institucionesh mediatike publike, ku më i arriri dhe më i lakmueshmi për t’u imituar botërisht mbetet BBC-ja britanike, e cila financohet vetëm nga taksapaguesit, ndërsa rrjetet e tjera private si ITV apo SKY, vetëm nga reklamat.

Por në kushtet shqiptare kur nuk ka një prerje të tillë, mbetet alternativë imediate, krijimi i pavarësisë politike të institucionit nga çdo qeveri, që nuk është financuesi real sesa shpërndarësi i taksave që paguajnë të gjithë shqiptarët.

Berishizimi i medias sipas modelit rus të Putinit rezultoi fatal për pushtetin e Berishës, i cili kërkoi që mediat e vendit, dhe deri diku ia arriti, që të shërbenin si servis dhe lavazh i ndotjeve që krijonte në trupin e saj makineria e tij qeverisëse.

Nëse Rama nuk ka nxjerrë mësime dhe kërkon që PR-in ta mbështesë qoftë edhe në modelin e debatueshëm në Britani të Alistair Campbell-it, do të fitojë vetëm kohë, por jo mandate.

Po qe se Rama do të vazhdojë siç bënte dhe bën Berisha, që harton vetë lajmet dhe tekstet apo bezdiste gazetarët politikë nëpër telefona dhe SMS, për këtë apo atë lajm, kjo do të jetë vazhdimësi e një fatkeqësie demokratike.

Por kjo fatkeqësi do të ketë përmasa dhe efekte më të mëdha, përveçse është vetëposhtëruese për median, nëse vetë mediat shqiptare do të tolerojnë akoma të trajtohen edhe në vazhdimësi si transmetuese kasetash me tekste të gatshme të ardhura nga selitë politike të pushtetit apo opozitës.

Mandatet i fiton qeverisja e ndershme dhe e mençur. Zgjedhësit apo shumicat e tyre kurrë nuk gabojnë në ditën e gjykimit politik të qeverive. Ata nuk ka media apo korporatë mediatike që t’i mashtrojë për tërë kohën, sado e sofistikuar qoftë, e aq më tepër kur injorojnë dhe ofendojnë intelektin e tyre. Ky është një mësim që vjen nga 23 qershori.  

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA