
Operacionit të Policisë së Gjirokastrës, i cili është duke u zhvilluar
prej disa ditësh në hyrje të fshatit Lazarat, i kanë ardhur në ndihmë
dhe tre grupe të FNSH-së së Fierit.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, konfirmojnë për Top Channel se 3 grupet e FNSH-së së Fierit kanë mbërritur prej ditës së mërkurë për të mbështetur veprimet e policisë së Gjirokastrës.
Ndërkaq, ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nëse Policia e Gjirokastrës, e mbështetuar nga FNSH do të hyjë në fshatin Lazarat për të shkatërruar plantacionet e kanabis sativës.
Kanabisi, i mbjellë cep më cep
Kompania gjigante “google” ka dekonspiruar pa dashje kultivuesit e
kanabisit në fshatin Lazarat. Programi “googlemaps” ka bërë një
fotografim të të gjithë territorit shqiptar nga hapësira, ku gjithkush
që ka internet mund të eksplorojë vende të caktuara.
Rifreskimi i fundit duket se është bërë para disa javësh, ndërsa shkruhet se fotografimi është bërë në vitin 2013. Sipas një vëzhgimit të thjeshtë në këtë faqe, duke kërkuar për fshatin Lazarat, aq shumë të debatuar kohët e fundit edhe në mediat botërore, pas publikimit të raportit nga policia italiane se në këtë fshat janë mbjellë 300 hektarë kanabis, shikohet se ai është totalisht jeshil, shumë i lulëzuar, megjithëse është një shpat mali.
Pa afruar pamjet, duket se ky fshat është “pararojë” e bujqësisë, pasi është shumë i gjelbër, ndërsa lagjet e tjera, buzë rrugës automobilistike, apo edhe afër qytetit të Gjirokastrës, duken në ngjyrë gri, si shkretëtirë, megjithëse janë fusha. Ditët e nxehta të korrikut dhe gushtit kanë tharë çdo bimë në fushë, ndërsa lart në mal, ku banesat janë ngritur në një zonë me zallishte, lulëzon gjithçka. Me një vëzhgim të thjeshtë duken parcela të tëra jeshile, që me shumë gjasa janë të mbjella me kanabis. Madje, duken edhe rreshtat e mbjelljes, ndërsa në disa vende bima duket e vogël.
Mbjellja, cep më cep
Ajo që vihet re është se edhe në qendër të fshatit është mbjellë kanabis, ndërsa pothuajse të gjitha shtëpitë kanë të mbjella. Identifikimi i kultivuesve, madje edhe me këto pamje, duket se nuk është i vështirë për policinë shqiptare.
Kohë më parë, ALUIZNI ka bërë fotografimin e të gjithë territorit shqiptar, jo për kanabis, por për të identifikuar ndërtimet. Të dhënat janë hedhur në një sistem, i cili mund të verifikohet edhe nga policia. Janë identifikuar pronarët e banesave dhe gjithçka tjetër. Në bazë të këtyre të dhënave, policia mund të bëjë identifikimin e kultivuesve. Por, deri më tani, policia jonë i ka rënë shumë shkurt, duke sjellë ndalimin e punëtorëve për të shkuar në këtë fshat, në pamundësi për t’u futur vetë. Në vend që të ndalonte kultivuesit, apo tregtarët, shoqëron pikërisht hallexhinjtë, që kanë shkuar në këtë fshat nga vende të largëta, madje edhe nga Shqipëria e Veriut apo e Mesme.
Sërish, asnjë veprim dhe është dashur ndërhyrja e italianëve për të zbuluar mbjelljen masive. Madje, komandanti i “Guardia di Finanza” tha tekstualisht se “sivjet të mbjellat janë shumë të mëdha”. Dhe, kur kanë kaluar disa javë nga kjo deklaratë, sërish policia nuk ndërmerr asnjë veprim të hajrit, madje nuk mund të kontrollojë edhe dot “googlemaps”. Sipas një vëzhgimi, fshati duket rrafsh i mbjellë me kanabis. Pothuajse të gjitha shtëpitë, apo tokat që kanë pranë janë të mbjella. Në disa vende bima duket shumë e zhvilluar, ndoshta ka qenë e mbjellë më parë, ndërsa në disa vende të tjera, pak më e vogël. Por mund të ndryshojë edhe nga fara. Ajo që vihet re është se është mbjellë kudo, para, pas shtëpisë, në oborr. Gjithçka duket jeshile dhe fotot duket se janë bërë rreth një muaj më parë.
Malet me gjelbërim
Gjirokastra, por edhe rrethinat e saj, njihen si vende “të gurta”. Në shpate malesh ka shumë zallishte, të cilat shkojnë deri poshtë, në luginën e Drinosit. Por, lazaratasit kanë dalë kundër natyrës, duke gjelbëruar edhe malin. Në disa vende, shihet qartë se është mbjellë edhe në male, në toka që duket se nuk kanë qenë asnjëherë të mbjella. Ata kanë hapur gropa dhe i kanë mbushur me dhe. Më pas i kanë plehëruar dhe kanë ngritur edhe sistem vaditjeje. Gjithçka e përsosur për të kultivuar kanabisin, i cili ka të ardhura të mjaftueshme për të bërë të gjitha këto shpenzime. Me këto metoda të përdorura, duket se banorët e Lazaratit janë bërë edhe agronomë të mirë, pasi askush s’e kishte menduar se një tokë e tillë, pa ujë dhe me zallishte, të kishte një prodhim për t’u pasur zili. Por, vetëm për kanabisin, pasi ky fshat nuk mbahet mend për të prodhuar fruta dhe perime.
Mbjellja e përroit
Në “googlemaps” shikohet se lazaratasit kanë shfrytëzuar në maksimum një përrua që kalon në këtë fshat. Ose që ka ujë vetëm në dimër. Në muajt e verës, përroi thahet dhe ai shfrytëzohet si tokë ku mbillet kanabis me shumicë. Përroi ka një burim shumë lart në mal dhe e gjithë “lugina” e tij është e mbjellë. Madje, ato shkojnë edhe shumë larg zonave të banuara, në të cilët është ndërhyrë nga policia edhe kohë më parë. Në tokën zallishte të përroit janë bërë gropa dhe, duke e mbushur me dhe e plehëruar, është mbjellë bima e kanabisit. Askush nuk ka ndërhyrë edhe në këtë zonë, disa qindra metra larg fshatit për të asgjësuar bimën.
Komuna dhe shkolla, djerrë
Të pakta janë vendet ku nuk është mbjellë kanabis në këtë fshat. Ndër to llogaritet godina e komunës, që është afër qendrës së fshatit dhe shkolla. Ndërkohë, shtëpitë që nuk kanë mbjellë kanabis në këtë fshat, numërohen me gishtat e njerës dorë. Ka shumë pak, për të mos thënë aspak. Banorët e këtij fshati kanë prerë edhe pemët, apo kanë shpyllëzuar edhe zona të veçanta me dushqe. Aktualisht, nga pamjet e “googlemaps”, të cilat janë të vetmet që dokumentojnë për publikun ndryshimet në këtë fshat, nuk duken shumë pemë, ndërsa në qendër të fshatit është ende rrapi shekullor. Ndoshta qëndron aty se ndodhet në qendër dhe afër rrugës, në një zonë të asfaltuar, se nëse do të ishte në mes të një toke, mund edhe të ishte prerë. Një tjetër detaj interesant është se edhe në afërsi të “kalçetos” të këtij fshati është mbjellë kanabis. Vetëm rrethimi i saj, ku është vendosur edhe tapeti, nuk ka të mbjellë kanabis.
Në disa vende, pranë rrugës që të çon në qendër të fshatit, banorët kanë ngritur edhe mure rrethuese të larta, por që nga fotografitë nga ajri, duket qartë se oborret e banesave, janë të gjitha të mbjella me kanabis.
Puse dhe depozita uji
Nga fotografimi nga ajri i fshatit Lazarat duken edhe puset e bëra së fundmi nga banorët, në gati çdo parcelë. Janë ngritur buzë përroit, por ka edhe në mes të fshatit. Ato, puset duken të rrumbullakëta dhe duket si një vrimë në tokë. Ndërkohë, banorët kanë bërë edhe depozita uji të mëdha në kodër, ndoshta duke shtrirë plastmase në tokë, të cilat janë mbushur me reshjet e shiut. Janë bërë disa të tilla në kodër dhe më pas, duke përdorur edhe disa zorra, është bërë një sistem vaditjeje.
Ndërkohë, varrezat e fshatit, janë rrethuar me mbjellje kanabis. Toka në rrethinat e kësaj zone duket se është e mbjellë me bimën e eksportit.
Policia bllokon autobote dhe punëtorë
Policia e Gjirokastrës vazhdoi edhe të mërkurën në mëngjes operacionin për bllokimin e ujit dhe personave që punojnë në parcelat me kanabis në Lazarat, një nga zonat më problematike në vend. Pas orës 5 të mëngjesit, forcat e rendit kanë bllokuar hyrjet në fshat dhe nuk kanë lejuar botet me ujë, ndërkohë që një ditë më parë, të martën në mëngjes u bllokuan 5 kamionë me pleh dhe autobote me ujë dhe u ndaluan 58 persona që udhëtonin në drejtim të Lazaratit. Të ndaluarit u shoqëruan në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës. Operacioni erdhi pas denoncimeve përmes pamjeve filmike të “Guardia di Finanzia”, ndërkohë që nga fshati prej dy ditësh qëllohet me armë në ajër natën, e ku si pasojë e plumbave qorr që vinin nga fshati, u plagos edhe një shtetase.
Top Channel