Shqipëria U-21 humb sërish, 0-1 me Austrinë

14/08/2013 20:30

Shqipëria U-21 pësoi humbjen e saj të tretë në tre ndeshje, në kualifikueset e Kampionatit Europian të Shpresave 2015.

Përfaqësuesja e të rinjve tanë u ndesh në Vlorë me kombëtaren U-21 të Austrisë, për të cilën rezultoi përcaktues një gol në fillimin e pjesës së dytë.

Pas një 45-minutëshi të parë të barazpeshuar, austriakët bënë diferencën duke realizuar në të 54’, nëpërmjet Zulj, i cili përfitoi nga një vendosje e pasaktë në rreshtim e mbrojtjes sonë.

Kombëtarja kuqezi dominoi në 20 minutat e fundit të takimit, duke krijuar edhe disa raste të pastra, por pa arritur që të konkretizonte, ndërsa djemtë e Skënder Gegës reklamuan dy herë 11-metërsh, për një rrëzim dhe për një prekje më dorë në zonë.

Me këtë humbje, e cila vjen pas disfatës 1-2 në Durrës me Hungarinë dhe 4-1 me Bosnjen në transfertë, kombëtarja jonë pozicionohet e fundit në grupin me pesë ekipe, që plotësohet me një prej favoriteve për titullin europian, Spanja U-21.

Përfaqësuesja jonë, në këtë ndeshje luajti me këtë formacion. Në portë, Thoma Strakosha (Lazio, Itali), i biri i ish-portierit legjendar të kombëtares.

Në mbrojtje, Rrahmani (Drenica, Kosovë), Matoshi (Chiasso, Zvicër), Gjokaj (Derby County, Angli) dhe Hisaj (Empoli, Itali). Në mesfushë Bunjaku (Grasshopers, Zvicër), Shala (Odds, Norvegji), Taipi (Shkëndija, Maqedoni) dhe Abazi (Drita, Kosovë), ndërsa në sulm Hoxha (Novezzano, Itali) e Neziraj (Luzern). Nga stoli u aktivizuan Kavazaj, Hasani dhe Morina.

Top Channel