Çështja e ndërtesës së Shtëpise së Oficerave që do të shndërrohet në selinë e Partisë Demokratike është trajtuar edhe BBC, që e cilëson këtë veprim si “aktin e fundit shpërblyes që partia në pushtet i bën vetvetes”.
Media prestigjoze britanike i referohet lajmeve të ditëve të fundit në Top Channel. Javën e kaluar – shkruan BBC – qeveria nënshkroi të drejtën mbi ndërtesën pranë Parlamentit në kryeqytetin Tiranë.
Vendimi ndezi protestat e dhjetëra ish-ushtarakëve, të cilët protestuan përpara zyrës së kryeministrit për t’i kërkuar atij kthimin e saj në një qendër historike dhe monument kulture.
BBC i referohet kronikës së Top Channel dhe deklaratës së kolonelit Mikado Shakohoxha, i cili tha se ndërtesa ka një domethënie kulturore për Forcat e Armatosura.
Megjithatë veteranët nuk duhet të shqetësohen – shkruan BBC – pasi me sa duket ministrja e ardhshme e Mbrojtjes është zotuar se do t’ia rikthejë ndërtesën ushtrisë.
Top Channel