
Lady Gaga ka nxituar të publikojë këngën e saj të re, “Applause”, pasi
pjesë të saj filluan të publikoheshin online në mënyrë pirate.
“Muzika pop ndodhet në emergjencë”, ka shkruar këngëtarja në profilin e saj në Twitter, teksa kënga u publikua në iTunes dhe YouTube.
“Applause”, kënga e re e Lady Gaga që prej vitit 2011, fillimisht ishte planifikuar që të publikohej më 19 gusht.
Rrjedhjet, siç quhen ndryshe materialet e publikuara ilegalisht në internet, janë kthyer në pjesë të jetës së përditshme për yjet e muzikës si Beyonce, Katy Perry dhe Jay-Z, që kanë pasur fatin e Lady Gaga më herët gjatë vitit.
Nga publikimet e parashikuara deri tani për vitin 2013, vetëm David Bowie arriti ta mbante nën kontroll albumin e tij. Publikimi i këngës që shënoi kthimin e tij, “Where Are We Now”, mëngjesin e ditëlindjes së 66 të tij erdhi si një surprizë për fansat dhe kritikët në mbarë botën.
Pamje jocilësore nga videoja e re e Gaga filluan të shfaqeshin online që ditën e shtunë. “Zoti në parajsë, përse?”, tuitoi 27-vjeçarja, duke fajësuar hakersat. “Nuk prisnit dot edhe një të shtunë më shumë”.
Top Channel