Eto’o-Anzhi, takim deciziv, largohet në janar?

13/08/2013 00:15

E ardhmja e Samuel Eto’o nuk është ende e qartë. Do të duhet ende kohë për ta dëshifruar, interpretuar dhe kuptuar. Kjo, sepse sinjalet që vijnë nga Rusia janë më të qarta, në krahasim me ato të ardhura fillimisht gjatë javës së kaluar, kur “ra tërmeti” tek Anzhi.

Nga mediat ruse vjen lajmi i vetëm i sigurt: historia mes Eto’o dhe Anzhit është në fije të perit, kamerunasi do të largohet, por mbetet për t’u kuptuar se kur.

Dita e hënë ka qenë e rëndësishme për të ardhmen e tij, pasi pasdite, në Moskë, Samuel Eto’o është takuar me pronarin e Anzhit, Suleiman Kerimov, me të cilin është diskutuar mbi të ardhmen e tij, edhe pse ka një kontratë, që i skadon në 2014-n.

Mes palëve ka pasur një  përballje të sinqertë, Anzhi i ka konfirmuar lojtarit dëshirën e klubit për të ridimensionuar projektin teknik, gjë që do të çonte në një fund të raportit mes tyre, por kur?

Sipas shtypit rus, mes Anzhit dhe sulmuesit është arritur një pakt, sipas të cilit kamerunasi do të qëndrojë këtë verë në Rusi dhe vetëm në merkaton e janarit do të merren në konsideratë ofertat eventuale.

Ndërkohë, të mëdhenjtë e Europës janë duke u interesuar për goditjen e bujshme. Napoli ka kërkuar informacione, Chelsea i Mourinho-s duket më pranë, duke parë edhe dëshirën e vet Eto’o, i cili kërkon të bashkohet me teknikun portugez, me të cilin pati një eksperiencë të suksesshme tek Inter, por edhe zikaltrit vet nuk mbeten të painteresuar, sepse kanë kontaktuar me agjentin e tij.

Top Channel