“Summer Fest” në edicionin e tij të dytë u rikthye në qytetin e Sarandes me një seri aktivitetesh. Këngëtarët më të mirë për momentin me hitet e tyre, por edhe trupa e aktorëve të “Portokalli” dhe balerinët e Top Channel ishin oferta e “Summer Fest” në këtë qytet.
Aktivitetet nisën me panaire dhe muzikë që në orët e para të ditës. Ky event u bë edhe një pikë kulmore e sezonit turistik në Sarandë. Plazhi dhe shëtitorja ku u zhvillua “Summer Fest” u mbush plot nga banorët e qytetit të Sarandës, si dhe turistët që po kalojnë pushimet aty.
Për kryetarin e bashkisë së qytetit jugor, të shumtë kanë qenë pushuesit e huaj që kanë preferuar Sarandën këtë vit për të kaluar pushimet.
“Saranda është në kapacitet të plotë të akomodimit të turistëve. Ka një rritje të ndjeshme të atyre të huaj, rreth 20 për qind më shumë se një vit më parë. Kulmi është sot me “Summer Fest”. Të gjithë duan të shohin këtë aktivitet të mrekullueshëm. Do vazhdojmë me panaire dhe evenimente të tjera. Do vazhdojmë për ta çuar sezonin turistik përtej shtatorit”, deklaroi Stefan Çipa.
Vetë artistët janë shprehur të entuziazmuar nga pritja e ngrohtë e publikut. Në mbrëmjen e “Summer Fest” në Sarandë kanë performuar këngëtarët Shpat Kasapi, Besa Kokëdhima, Poni, Andos, si dhe këngëtarë të “The Voice of Albania 2”.
Nuk kanë munguar edhe aktorët e “Portokalli” dhe trupa e baletit e Top Channel. Rrugëtimi “Summer Fest” nëpër Shqipëri është mbyllur me Sarandën, ndërsa javën që vjen stacioni final është në qytetin e Ulqinit.
Top Channel