NDUE DEDAJ – Shekulli i 20-të, si shekull i modernitetit dhe i një stadi
të ri zhvillimi, u quajt dhe “shekulli i fëmijëve”. Dhe pati një tjetër
vështrim të njerëzimit ndaj asaj që metaforikisht quhet si e ardhmja,
sidomos për sa u përket lirive dhe të drejtave të fëmijëve, ku siç dihet
u nënshkruan edhe disa karta ndërkombëtare për këtë qëllim.
Një ndërgjegje të re kishte fituar shoqëria globale në trajtimin e kategorive njerëzore, ku fokusimi i posaçëm ndaj pasardhësve kishte dhe një domethënie tjetër, fëmijët, rinia po prekeshin seriozisht nga sëmundjet gërryese të shekullit. Por shekulli i 21-të nuk i ka kapërcyer sfidat e shekullit të kaluar, ndaj beteja në fushën e edukimit dhe atë të mirëqenies sociale vazhdon. Edhe pse janë krijuar disa institucione mbrojtëse, fëmijët dhe adoleshentët janë sërish të prekur nga veset e shoqërisë së hapur, duhani, alkooli, droga, pornografia, marramendja pas rrjeteve sociale, seksi në moshë të re, një lloj “skizofrenie” e të rinjve. Por a janë ata fajtorët e vetvetes? Jo. Shoqëria, shteti, shkolla ende nuk i ka përsosur instrumentet mbrojtëse dhe edukative. Sekretari i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës, Xavier Darcos, duke analizuar shkollën e sotme franceze, vë në dukje se ajo është zëri i parë i buxhetit të kombit: shpenzimet e shtetit për shkollën zënë një të katërtën e buxhetit dhe më shumë se gjysmën e nëpunësve. Por një gjë mbetet e sigurt, nëse shkolla ia doli mbanë t’i shkollonte të gjithë, ajo dështoi në misionin e saj për integrim e promovim, masivizim nuk do të thotë demokratizim. (Respublica.al). Kështu e gjykon ai një nga shkollat e afirmuara europiane, por se cili do të ishte këndvështrimi për shkollën shqiptare, në këtë rreze shikimi, nuk mund të gjykohet pa një testim të plotë të gjendjes së arsimit kombëtar, ku me gjithë zhvillimet e ndjeshme, një gjë është e sigurt, që arsimi te ne jo vetëm nuk është zëri i parë i buxhetit të shtetit, po nuk është as një mision i përfunduar. Të tjera reforma të thella për sa i përket përmbajtjes lypet të ndërmerren, në këtë rast nga qeveria e re, që shkolla të jetë sa më formuese, cilësore dhe profesiondhënëse. Sot flitet për edukimin e karrierës, por modelet nuk duket se janë gjetur. Ndodh që mësuesit u japin nxënësve veten për model. “Shihni si jam bërë unë ky që jam, kur kishim vetëm dritë kandili për të bërë detyrat!”, çka te nxënësit e vegjël shkakton njëfarë adhurimi, kurse te ata të gjimnazit njëlloj nënqeshje. Jo vetëm stili tradicional i shkollës, po edhe rrethanat e këtij tranzicioni “specifik” e kanë dëmtuar të tashmen e shkollës. Njoftojmë çdo rast kur një student shqiptar bëhet i dëgjuar jashtë, ndërkohë që shumë të rinj nuk u integruan dot atje, nuk u shpërblye ëndrra e shumë maturantëve që u nisën për studime pas 90-s në universitetet italiane e sot janë emigrantë si gjithë të tjerët. Teksa arsimi profesional vetëm sa ka rinisur të formatohet, sipas kërkesave të tregut të punës, kur pati krijuar një traditë që me shkollat teknike, agrare të viteve ‘30. Shto pastaj dhe analfabetizmin funksional, braktisjen e fshehtë, etj. Shkollat, në qytete, i kanë kapacitetet profesionale, por të patrajnuara për t’i mësuar nxënësit si të shkojnë drejt karrierës.
Shkolla ka standardet e saj dhe ato janë shinat nga ajo ecën, veçse nuk dihet sa dhe se si institucionet arsimore testohen dhe certifikohen në përmbushjen e këtyre standardeve. Krahas disa risive të viteve të fundit, një faktor ndryshimi është dhe shërbimi psikologjik shkollor. Nga organet e arsimit kërkohet rritja e rolit të tij në lehtësimin e fëmijëve, lidhur me të drejtën e tyre për arsim, përqendruar kryesisht te fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët më aftësi të kufizuar, fëmijët që kanë pësuar drama familjare, fëmijët romë e egjiptianë, fëmijët e zonave malore, fëmijët që kthehen me familjet nga emigracioni, etj. Çdo shkollë paraqet veçoritë e saj dhe psikologu shkollor nuk mund të bëjë punë në përgjithësi. Ai nuk mund ta shohë shkollën të shkëputur nga komuniteti. Po ashtu, atij i duhet të përfshihet në analiza të karakterit studimor mbi prirjet e adoleshencës në aspektin e sjelljeve, motivimeve etj. Kemi një kategori adoleshence, si një “bombë sociale”, pa punë, pa profesion, që merret me vjedhje, etj. Sa ka qenë shkolla e përgjegjshme ndaj këtyre individëve, kur ata ishin në bankat e saj? Shumë adoleshentë që kanë kryer arsimin e mesëm, nuk bëjnë asgjë, vetëm presin prej prindërve të ardhura. Kështu vjen duke u “kultivuar” një rini dembele, në vend që të formohet me vizione pune për të nesërmen. Duhet ta pohojmë pa e maskuar pas frazave të rritjes këtë shqetësim kombëtar. Edhe pse shoqëria ka ecur, edhe pse bota është modernizuar pandalshëm, edhe pse krahas mësuesit po ndihet përherë e më shumë roli i psikologut, sociologut, punonjësit social, shoqatave, shoqërisë civile, një gjë nuk ka ndërruar që nga fillesa, roli i pazëvendësueshëm i prindit, mjedisit familjar në suksesin e shkollimit të fëmijës. Pranohet nga të gjithë ndikimi prindëror, si një kryekusht në fushën e edukimit, ku nëna është dhe edukatorja e parë. Ndaj është shtruar me forcë nevoja e një prindërimi të frytshëm. Prindi ka barrën e mbajtjes së familjes, por, i dhënë pas sigurimit të burimeve të jetesës dritë e terr, nuk i kushtohet sa duhet edukimit të fëmijëve. Ai vazhdon të mendojë se është (vetëm) shkolla përgjegjëse për edukimin. Por kjo nuk është një lojë kungulleshash, aq më pak të vihet në dyshim roli i familjes në këtë anë. Jemi njerëz të mësuar me ledhatime të ndërgjegjes, se jemi më të mirët, të parët etj., kemi dëshirë të na mburrin dhe të vetëmburremi. Është ky një tipar negativ yni dhe i fqinjëve tanë ballkanas. Ky lloj vesi ka hyrë si pa e kuptuar që në klasën e parë, ku nxënësit në kor të thonë “ne jemi më të mirët, më të zgjuarit”, etj. Dhe mësuesve nuk u bën përshtypje, pasi janë edukuar dhe vetë me këtë frymëzim patetik. Kjo psikozë duhet të çrrënjoset nga mësuesit dhe prindërit tradicionalistë, ku krahas stimulit normal që fëmija i tyre të jetë i suksesshëm, e teprojnë duke e lavdëruar, a duke e qortuar pa fund. Pështjellim ka edhe lidhur me trajtimin e privatësisë së adoleshentëve. Në emër të saj, ata nuk mund t’i fshehin prindit dobësitë e tyre, pasi prindi është ende përgjegjës moralisht dhe ligjërisht për ta, për zhvillimin dhe edukimin e tyre. Ai nuk ka detyrim vetëm ta mbajë fëmijën e tij me të ngrënë, të veshur, argëtim e të tjerë, por dhe të informohet si i ndjek mësimet, si sillet në shoqëri, etj. Edhe shkolla, mjedisi ku adoleshenti edukohet, nuk mund të jetë indiferente ndaj privatësisë së nxënësit, kur ajo rezulton të jetë e pahijshme dhe problematike. Shkolla ka tashmë dhe një instrument që merret me këto anë delikate dhe ky është shërbimi psikologjik, funksioni i të cilit është mirëqenia shpirtërore, mendore, emocionale e nxënësve.
Top Channel