Çiklizëm, Shqipëria rrezikon Botërorin

12/08/2013 15:20

Problemet e brendshme në Federatën shqiptare të Çiklizmit dhe ministri i Sporteve, Visar Zhiti rrezikojnë të lënë kombëtaren shqiptare jashtë Kampionatit Botëror që do të zhvillohet në shtator në Firence të italisë.

Mosmarrëveshjet mes sekretarit të përgjithshëm Kujtim Bara dhe drejtuesve aktualë të Federatës së Çiklimit, e njohur nga ministria e Sporteve dhe nga KOKSH-i ka bërë që ata të kërkojnë zëvendësimit e sekretarit Bara.

Pavarësisht ndërhyrjes së Drejtorisë së Sporteve dhe zv/ministrit Tagani për pajtimin e palëve dhe për arritjen e një bashkëpunimi mes Federatës së çiklizmit dhe sekteratit Bara, ky i fundit nuk ka pranuar të ushtrojë detyrën si sekretar duke e bllokuar këtë post, madje është bashkuar me një grup tjetër i cili pretendon se janë ata drejtuesit e ligjshëm të kësaj Federate.

Drejtuesit e Federatës, që njihen zyrtarisht edhe nga ndërkombëtarët kanë kërkuar zëvendësimin e tij madje kanë dërguar në ministri emrin e sekretarit që duhet të zëvëndësojë Baren në mënyrë që ky post të mos ngelet vakant, të vazhdojë të fuksionojë ashtu siç duhet në mënyrë që lista e çiklistive shqiptare të dorëzohet para datës 17 gusht që është dhe afati i fundit i dorëzimit.
Por, kërkesa e Federatës së Çiklizmit ka kaluar të gjitha etapat e saj në ministri dhe tashmë po pret vetëm për një firmë në tavolinën e ministrit Zhiti.

Burime pranë këtij institucioni pohojnë për “Top-Channel” se ministri Zhiti ka kërkuar më shumë kohë për të shqyrtuar rastin e çiklizmit shqiptar dhe po tenton të bashkojë dy palët si e vetmja mënyrë që sporti shqiptar të mos ngelet peng e mosmarrëveshjeve individuale.

Top Channel