Braktisja, Doni: Zoti s’do që unë të luaj më

12/08/2013 23:40

6 vjet te Roma, një Kupë Amerike me Brazilin, e fituar si titullar, 34 vite ende të pambushura, 1 vit e gjysmë më i ri se Buffon, por Donieber Alexander Marangon, i njohur shkurtimisht si Doni, i ka thënë mjaft futbollit.

Më saktë, këtë gjë ia kanë thënë mjekët atij. Në kohën kur luante për Liverpool iu ndal zemra për 25 sekonda gjatë një kontrolli, e që prej atëherë e mban situatën në monitorim të rreptë.

Prishi në mirëkuptim të plotë kontratën me klubin anglez, u kthye në Brazil me ekipin e Botafogos (Riberao Preto), por jo atë ku aktualisht luan edhe Clarence Seedorf, në pritje për të marrë konfirmimin për të marrë pjesë sërish në garë. Por, pas 6 muajsh inaktivitet ajo nuk iu dha, duke e detyruar të braktisë përfundimisht karrierën futbollistike.

Gjatë kësaj kohe, portieri ka shtuar edhe 10 kg të tjera, duke shkuar në 104 kg. “Zoti nuk dëshiron, që unë të luaj më futboll. Më vjen keq, sidomos për tim bir Nicholas, i cili do të kishte dashur të më shihte sërish në fushë, por nuk mund të bëj gjë tjetër. Do të kisha dashur të luaja edhe për pak kohë për të, por nuk do të jetë e mundur, edhe pse kam ende nostalgji për futbollin. Unë vdiqa njëherë, tashmë do të bëj rolin e sipërmarrësit”, ka deklaruar ish-lojtari i Romës.

Top Channel