Katar 2022, FA: “I pamundur” në verë

10/08/2013 00:40

Zhvillimi i Botërorit në Katar, në 2022, do të ishte “i pamundur”, thotë kreu i Federatës angleze të Futbollit, Greg Dyke, i cili u emërua në këtë post muajin e kaluar. Ai mendon se turneu duhet të zhvendoset në dimër, për shkak të të nxehtit.

Premier League kundërshton ndryshimin e datave, ndërsa paraardhësi i Dyke, David Bernstein, tha, gjatë qershorit, se çdo ndryshim në lidhje me periudhën e zhvillimit të Botërorit do të ishte “krejtësisht i gabuar”.

Megjithatë, komiteti organizativ i Botërorit të Katarit bën të ditur se është gati të zhvillojë këtë turne në verë.

“Edhe nëse të gjithë stadiumet do të ishin me ajër të kondicionuar, mendoj se do të ishte e pamundur për tifozët”, tha Dyke. “Thjesht të shkojnë atje e të lëvizin në atë periudhë të nxehti ekstrem, më bën të mendoj se është e pamundur. Pozicioni im, dyshoj se edhe ai i FA-së, do të jetë: Botërori s’mund të zhvillohet në verë”.

Komiteti Suprem i “Katar 2022” tha për BBC, përmes një deklarate: “Ishte vendim i duhur, ai i dhënies së të drejtës për organizimin e Botërorit në Lindjen e Mesme, për herë të parë, në 2022. Jemi të gatshëm për ta zhvilluar atë në verë ose dimër. Gjithmonë kemi deklaruar se kjo çështje kërkon marrëveshje mes gjithë komunitetit ndërkombëtar të futbollit. Një vendim mbi alternimin e datave të Botërorit 2022 nuk do të ketë ndikim në planifikimin e infrastrukturës sonë”.

Premier League besohet të jetë surprizuar dhe zhgënjyer nga komentet e Dyke, pasi organizatorët e kampionatit anglez dëshirojnë të bashkojnë forcat me FA-në për të kundërshtuar ndryshimin e datave.

Richard Scudamore, shefi ekzekutiv i Premier League, tha, në korrik, se ndryshimi i Botërorit të Katarit në dimër do të shkaktonte kaos për ligat e futbollit anembanë botës.

Organizata e tij beson se një ndryshim i tillë do të kishte impakt në 3 sezone vendase para turneut, më kryesori ai i 2021-22, që do të ndikonte drejtpërdrejtë në marrëveshjet e të drejtave televizive, që do të kërkonte rishkrimin e kontratave të çdo futbollisti.

Në 2010-n, Katari mposhti aplikimet e Koresë së Jugut, Japonisë, Australisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke marrë të drejtat e organizimit të Botërorit 2022. Fitorja e tyre u dëmtua nga akuzat për korrupsion, edhe pse organizatorët kanë këmbëngulur gjithmonë se nuk kanë bërë asgjë të gabuar.

Temperaturat në Lindjen e Mesme mund të arrijnë deri në 50 gradë Celcius gjatë verës, ndaj dhe sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke, pranoi për herë të parë në mars se turneu mund të ndryshojë datë. Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, tha në maj se ishte diçka irracionale, që të luhej në një periudhë kaq të nxehtë.

Top Channel