Beteja e vështirë për bregdetin

10/08/2013 00:00

Skënder Minxhozi – Një ndër postimet e fundit në rrjetet sociale të Edi Ramës krijoi jo pak zhurmë në opinionin publik. Për të disatën herë, ashtu siç kanë bërë plot të majtë të tjerë në muajt e fundit, kryeministri i zgjedhur i është kthyer problemit të ndërtimeve pa leje në bregdet. Një vijë e gjatë, e pafund ngrehinash të të gjitha formave që kanë pushtuar brigjet, zonat turistike, parqet kombëtare, lagunat dhe pyjet. Në krahasim me këtë lukuni laramane, Lana dhe Parku Rinia duken si dy pika uji.

Qeveria e re “Rama” është angazhuar për të ngritur organizmat që do të monitorojnë situatën në bregdet e që do të nisin vënien graduale të rregullit në masën disa mijëshe të ndërtimeve abuzive aty. Është një ndërmarrje që do të bënte shumëkënd të ngrinte supet me skepticizëm, e që do të gjithë kohën dhe energjinë e nevojshme për t’u vënë në jetë. Por është para së gjithash një betejë që meriton të luftohet.

Duke goditur hartën e ndërtimeve ilegale në rreth 400 kilometrat e bregut shqiptar të Jonit dhe Adriatikut, Edi Rama e di se kjo do të jetë jo vetëm një sfidë madhore në aspektin ekonomik, logjistik e social, por edhe një ushtrim i vështirë institucional e politik. Kur e majta doli fitimtare në shumicën e bashkive e komunave, në verën e vitit 2011, një ndër shprehjet që e acaronte më shumë Berishën asokohe, ishte se opozita nuk i kishte lënë qeverisë “asnjë dalje në det”. Ishte e vërtetë. Bashkitë dhe komunat e kontrolluara nga PS dhe opozita, shtriheshin që nga Velipoja e deri në brigjet më jugore të Ksamilit.

Sot, kur opozita s’është më opozitë, por mazhorancë, kjo shtrirje gjeografike dominuese e përfaqësimit politik, kthehet në një barrë të madhe përgjegjësie përballë zgjedhësve dhe ligjit. E meqenëse aksioni i shumëpërfolur do të startojë në hapat e parë të qeverisjes, është më se e mundshme që shumica e re qeverisëse të ndodhet përballë disa vendimesh jo fort të lehta, që do të duhet të godasin “brenda shtëpisë”. Nëse mazhoranca nuk do të tregohet e ashpër dhe e vendosur për të dënuar secilin që do ta meritojë një gjë të tillë, ky aksion kombëtar, me një kartë të madhe morale nga pas, do të zverdhet e mpaket, duke marrë mbi vete akuzën e një goditjeje selektive me sfond politik.

Të vendosësh rend në bregdetin shqiptar do të thotë të fillosh vendosjen e rregullit në pjesën më të pasur dhe me potencial të vendit. Gjetja është e saktë, padyshim e vonuar dhe pa asnjë mëdyshje e vështirë, deri në kufijtë e së pamundurës. Shumëçka është prishur përtej cakut të kthimit pas, Saranda nuk do të jetë kurrë ajo e mëparshmja, bregdeti i Durrësit konsiderohet një plazh ku durrsakë e tiranas as kthejnë kokën, e jo më të ndalen për të bërë plazh, Vlora është dëmtuar gjithashtu rëndë në disa pjesë të saj, përfshirë Pyllin e Sodës, i cili po tkurret gradualisht nën peshën e ndërtimeve që po e rrethojnë nga të gjitha anët.

Vizioni njëzetvjeçar (në fakt mungesa e tij) që ka masakruar gradualisht të gjitha pjesët e territorit shqiptar, ka qenë veçanërisht shkatërrimtar për bregdetin shqiptar. Në emër të lirisë së zhvendosjes, në dy dekada, qytete dhe fshatra, pyje dhe kullota, toka bujqësore dhe troje ndërtimi, brigje turistike dhe zona të mbrojtura, iu nënshtruan një urbanizimi të dhunshëm, i cili në një pjesë të mirë reflektonte injorancën, babëzinë e papërgjegjshmërinë e shtetarëve të radhës.

Problemi i shkatërrimit të bregdetit është padyshim një përgjegjësi e qeverive qendrore, pasi ato, në ndryshim nga pushteti lokal, kanë përpara të gjithë hartën e vendit, e jo vetëm një kodër, një qytet apo një komunë. Por përtej përgjegjësive të qeverisë qendrore, bregu shqiptar, ashtu si edhe pjesa tjetër e vendit, është masakruar me lejen, dijeninë, neglizhencën, apo apatinë e qeverisjeve lokale të të gjitha krahëve. Vullneti për të goditur ndërtimet pa leje, s’mund të jetë në asnjë rast një ndërmarrje e suksesshme, nëse nuk do të avancohet me reformën administrative – një ndër burimet më të mëdha të abuzimit në këtë vend. Dhënia fund e qindra pashallëqeve absurde, me bashki që s’janë bashki e komuna që kanë mbirë si kërpudhat, është një premisë e pazëvendësueshme që abuzimi me territorin të fillojë të ndalet.

Qeveria e re “Rama” ka marrë përsipër ta evidentojë fort këtë katastrofë urbane të hatashme që ka ndodhur. Megjithëse vullneti për të ndryshuar rrjedhën e historisë së tranzicionit është në vetvete një gjë fisnike, vetëm dëshira e mirë nuk është gjithçka. Edi Rama nuk ka hyrë ende në godinën e qeverisë. Ai ka premtuar se do t’i japë formën e premtimeve të tij, zyrës së kryeministrit. Të shohim nëse do të arrijë të ndryshojë aksiomën e përjetshme, që thotë se është zyra ajo që i jep formë shtetarit, e jo e kundërta. Beteja për bregdetin është një nga ato sfida që i ndryshojnë rrjedhën qeverisjes dhe që ribëjnë formatin e atij që drejton shtetin.

Gazeta Shqip

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA