Jemi mësuar zakonisht t’i shohim në valle me kostumet e tyre të shndritshme, por në fakt në minoritet, si një perlë e veçantë, është edhe kënga polifonike.
Pas 23 vitesh, rikthehet në një fshat të minoritetit festivali i polifonisë, ku iniciatorë janë të rinjtë.
Emigrimi i pas viteve ’90 ndikoi edhe në zhvillimet kulturore të minoritetit dhe banorët e fshatrave të tij harruan për njëfarë kohe këngën polifonike.
Por, edhe në ato pak raste të përdorimit të saj, ajo mori nota të dhimbshme, pasi krijimet lidheshin në përgjithësi me largimin e të rinjve drejt kurbetit.
Janë pikërisht të rinjtë, në fakt, që janë bërë iniciatorë të organizimit të këtij festivali, në fshatin Llongo të Komunës së Dropullit të Sipërm.
Festivali është ndjekur nga dhjetra banorë të zonës. Në skenë u ngjitën grupi i Derviçanit, Llongos, Vriserasë dhe grupi i të rinjve të ardhur nga Athina.
Një nga të ftuarit specialë, të kësaj mbrëmjeje polifonie minoritare, ishte edhe klarinetisti Petro Lluka, aktiviteti i të cilit është i njohur në të gjithë Greqinë.
Ai është larguar në moshën 7-vjeçare nga fshati Llongo në Greqi, për pak kohë, por mbyllja e kufijve e la përgjithmonë të ndarë nga fshati dhe vendlindja e tij.
“Ne i këndonim prej shumë vitesh këngët polifonike. Ato janë këngë të mësuara prej gjyshërve dhe nënave tona. Festivali i fundit i organizuar është ai i vitit 1988. Tani që njerëzit kanë filluar të kthehen, ne kemi filluar të rikthehemi te tradita. Të rinjtë e kanë organizuar festivalin”, u shpreh Petro Luka.
“Dropulli i Sipërm është baza e polifonisë së minoritetit. Të gjitha fshatrat kanë të veçantën e tyre. Pas vitit 1991, kënga polifonike në minoritet pati një humbje. Por, ata që mbetën këtu, se baza akoma ekziston, kanë pasur një polifoni të dhimbshme e ardhur nga emigracioni. Ka një përpjekje nga të rinjtë, si nga vajzat, ashtu edhe nga djemtë, të cilët po fillojnë të krijojnë grupe polifonike” tha Mihal Kiçaqi, ish-punonjës kulture.
Top Channel