Dorian Koci – Javët e fundit, opinioni publik është fiksuar dhe përkushtuar pas krijimit të qeverisë së re dhe përbërjes së saj. Në studio televizive, në gazeta të shtypit të përditshëm e në blogosferë, të gjithë po e përshëndetin dhe vlerësojnë frymën e re të krijimit të qeverisë, që për hir të së vërtetës duket se zhgënjeu shumë nga trumbetat e propagandës tetëvjeçare, që vazhdimisht i ranë fyellit në një vrimë, duke dashur të tregojnë se nuk do të kishte ndryshim cilësor, por thjesht një pudër në konceptimin e pushtetit.
Sigurisht që është ende herët që të arrijmë në konkluzione sesi do ta ketë performancën kjo qeveri, por nisur nga përbërja e saj ku shquajnë teknokratë dhe profesionistë të vërtetë në fushat e tyre përkatëse në vend, ndihet fillimi i një energjie pozitive, që me përkushtim nga ana e qeverisë mund të përkthehet dhe në sukses.
Gjithsesi, në këtë fiksim dhe përkushtim të një pjese të opinionit, pasi ka dhe një pjesë tjetër të tij që në të njëjtën kohë e anatemon, besoj se nuk ka asnjë gjë të keqe, për më tepër që ai në shumë raste është i ngjashëm me entuziazmin që tregon çdo popullsi kur shikon që axhenda e progresit ka ngelur në vend. Sharmin më të madh qeveria e re e porsakrijuar po e merr nga mbështetja ndërkombëtare dhe trajtimi si partnerë të vërtetë në bisedime qoftë nga aleatët tradicionalë, por edhe me shtete fqinje si Greqia, ku marrëveshja e anuluar për detin vazhdon të qëndrojë midis dy shteteve si shpata e Demokleut apo germat e ndryshme të një toponimi mund të ringjallin sërish debatet shterp e të panevojshme të nacionalizmit etnik. Shpeshherë takimet e
Kryeministrit të zgjedhur dhe deklaratat e tij më se të zakonshme për marrëdhënie të mira me aleatët dhe partnerët strategjikë kanë nxitur gjykime të shpejta për të ngritur një network konspiracionesh dhe thashethemnaje ballkanike. Hamendësime dhe supozime të ndryshme hidhen vazhdimisht në tregun mediatik, duke u munduar të deshifrojnë çdo fjalë të Kryeministrit të zgjedhur apo dhe të miqve dhe partnerëve që ai takon. Mirëpo nëse ky përqendrim vëmendjesh, opinionesh dhe kamerash mund të jetë deri diku i justifikuar për Kryeministrin dhe qeverinë e re, në fakt thashethemnajet e pabazuara tregojnë se shoqëria jonë ende ka mbetur në një stad të ulët zhvillimi sociologjik. Transparenca dhe aksesi i publikut ndaj qeverisjes është një nga premtimet e Kryeministrit të zgjedhur dhe besoj se të gjithë ata që mund të presin një axhendë tjetër do të zhgënjehen. Stili i ri i qeverisjes po demonstrohet dhe në vizitat në rajon, ku Shqipëria po paraqitet si vend partner larg çdo kompleksiteti provincial të bezdisshëm për opinionin publik, por dhe në përbërjen e qeverisë, ku ajo nuk u konceptua më si tortë që çdo aleat i vogël të merrte pjesën e vet, por mbi të gjitha si përgjegjësi personale e dy partive të mëdha të koalicionit.
Që nga ky moment që qeveria u zgjodh dhe do të fillojë punën në shtator, opinioni publik duhet të jetë edhe ai i përgatitur për të dhënë kohën e mjaftueshme për të parë reformat, por edhe për të filluar një proces reformimi në ndërtimin e konceptit të qytetarisë. Qeveria e re nuk do të jetë magjistar që do të zgjidhë çdo problem me shkopin e vet magjik, por do të kërkojë një bashkëpunim të gjerë, transparent e cilësor me komunitetin. Problemet e rendit, korrupsionit, ambientit, ringjalljes kulturore etj., kërkojnë një qytetar aktiv që ngre zërin dhe kontribuon në komunitet, sepse përndryshe, dashje pa dashje, me heshtjen dhe pasivitetin e vet kthehet në një bashkëfajtor që më kot e kërkon fajësinë vetëm te të tjerët.
Kur qytetari është i dobët, nuk mund të ketë as qeveri të fortë, prandaj nëse vërtet dëshirojmë që të shikojmë ndryshim në qeverisje, ai në radhë të parë duhet të fillojë nga vetja. Kundërvëniet apo mbështetjet që po i jepen sot qeverisë së re përtej ndarjeve partiake, në fakt duhet të fillojnë të maturohen në mendime të shëndosha, në mënyrë që në këtë mandat qeverisës ndryshimi të fillojë të perceptohet e ndihet, ndryshim aq i dëshirueshëm për të bërë të mundur që vendi të integrohet në Bashkimin Europian dhe prosperiteti, mirëqenia dhe cilësia e jetës të përmirësohen.
Top Channel