Gjici: Mbetem president i Kukësit

09/08/2013 00:00

Kukësi nuk ka ndërmend të ndalet nëpër historinë europiane të futbollit shqiptar.

Skuadra veriore ia ka dalë mbanë të kalojë edhe përball gjigandëve ukrainas të Metalurgut falë fitoreës 2-0 në “Qemal Stafa” një javë më parë.

Për një arritje të tillë sigurisht askush nga skuadra kuksiane nuk ka pritur zbardhjen e mëngjesit, por janë nisur menjëherë drejt Tiranës ku i prisnin disa dhjetra tifozë.

Për presidentin Gjici, sigurisht i ndikuar edhe nga eurofia e kësaj arritje të paparë e padëgjuar për futbollin shqiptar, tashmë Kukësi mund të kalojë edhe në fazën e grupeve.

“Të them të drejtën, emocionet janë të papërshkrueshme. Ndiej një krenari të jashtëzakonshme për kalimin e turit, edhe për Kukësin. Tashmë kemi kaluar tre turne, duke thyer çdo rekord. Ekipi do të forcohet dhe përmirësohet më tej. Nuk e di se sa blerje na lejohen në bazë të rregullores së UEFA-s, por besoj 2-3 lojtarë mund të afrohen”, deklaroi në mbërritjen në Tiranë presidenti Gjici.

Ndërkohë që pas kësaj feste, ai ka siguruar se do të vazhdojë të financojë Kukësin duke hedhur poshtë aludimet për të marrë Tiranën.

“Kukësi do të vazhdojë, kemi deklaruar dhe deklarojmë se Kukësi pretendon titullin në sezonin e ri. Do të jetë një ekip që vërtet do t’i përgjigjet edhe sezonit 2013-14 për të arritur maksimumin. Pa diskutim që Kukësi do të vazhdojë të mbështetet maskimalisht”, shtoi Gjici.

Ndëkohë, trajneri Cungu më në fund ka pranuar se të kalosh 3 kundërshtarë europianë më të fortë në letër se Kukësi, nuk është rastësi.

“Emocionet janë shumë të mëdha, të papërshkrueshme. Kemi mundur tre kundërshtarë më të fortë, falë sakrificës, zemrës dhe karakterit. Kjo është sakrifica dhe puna e një sezonit, që falë Zotit po shërblehet së fundmi, e jemi krenar jo vetëm për Kukësin, por për të gjithë futbollin shqiptar”, tha trajneri Armando Cungu.

Top Channel