Trajneri i Metalurgut: Bëmë maksimumin

08/08/2013 00:00

Trajneri i përkohshëm i Metalurg Donteskut konsideroi se skuadra e tij bëri maksimumin, pavarësisht eliminimit përballë Kukësit.

Tekniku i mëparshëm u largua nga stoli i ukrainasve, pas humbjes së konsideruar të turpshme në Tiranë (2-0).

Në këtë ndeshje të kthimit, Metalurgu arriti të fitonte 1-0, por pa arritur të avanconte përballë skuadrës shqiptare, që në hedhjen e shortit të raundit të tretë pozicionohej si ekipi më i dobët me koefiçent, nga të gjithë ekipet e vazos së dytë.

Megjithatë, pavarësisht eliminimit tepër zhgënjyes për ukrainasit, për Vladimir Pyatenkon, “asgjë nuk mund të bëhej më mirë”, nga ana e skuadrës së tij.

“Pa dyshim që nuk jam i kënaqur me rezultatin, jo sepse luajtëm keq, por sepse nuk na lejon që të ecim më tej. Megjithatë, nuk kam asnjë qortim për drejmtë”, deklaroi ai në konferencën për shtyp pas ndeshjes, postuar në faqen zyrtare të Metalurgut në internet.

“Mendoj se zgjodhëm taktikën e duhur, duke ushtruar presion nga krahët. Në pjesën e parë shënuam atë gol për të cilin kishim nevojë, por për fat të keq, nuk shënuam dot përsëri. Kukësi luajti shumë mirë në mbrojtje, por mbi të gjitha, mendoj se në këtë mbrëmje na mungoi fati, si në rastin e traversës në pjesën e parë. Megjithatë, përsëris që nuk kam asnjë qortim për djemtë, ata bënë detyrat që unë i kisha kërkuar të bënin”, theksoi Pyatenko.

Top Channel