Perez: Bale vjen për më pak se 100 mln euro

08/08/2013 18:05

Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, në një intervistë për “ESPN” deklaroi se është i sigurt që kalimi i Gareth Bale në Madrid është vetëm çështje kohe.

Jo vetëm kaq, por Perez hodhi poshtë spekulimet e shtypit për ekzistencën e një oferte prej 120 milionë eurosh, duke theksuar se blerja e uellsianit do të bëhet me një çmim shumë më të lirë.

“Nuk po flasim vetëm me futbollistin, por edhe me klubin apo me presidentin, me të cilin u miqësova gjatë bisedimeve për Luka Modriç, një vit më parë. Thënë këtë, 100 milionë euro më duket një shumë e ekzagjeruar për cilindo lojtar”, deklaroi Florentino.

“Megjithatë, mendoj se kalimi i Bale në Madrid është një çështje kohe, pasi vetë futbollisti e ka shprehur qartë dëshirën e tij dhe besoj se edhe Tottenhami do të mirëkuptojë dëshirën e futbollistit për të luajtur në një ekip të madh si i yni”, shtoi presidenti.

Ndërsa shprehu besimin e tij të palëkundur mbi mundësinë që Cristiano Ronaldo të qëndrojë të gjithë karrierën në “Santiago Bernabeu”, Florentino foli edhe për dy trajnerët, të tashmin dhe të shkuarin.

“Jam optimist për Ancelottin. Të gjithë trajnerët që kanë qenë në këtë klub vitet e fundit kanë dhënë diçka për përmirësimin e nivelit dhe pres që edhe ai të bëjë të njëjtën gjë. Mourinho? Vitin e kaluar e nisëm keq dhe kjo kushtëzoi shumë sezonin, por gjatë këtyre tre viteve ai ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm për rritjen e nivelit të Realit”, theksoi Perez.

Top Channel