Nga Bledar Kurti – Gjatë një prej debateve televizive, në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit, i pyetur se çfarë kishte bërë konkretisht në detyrën e ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, ish-ministër i Shëndetësisë në qeverinë Berisha 1, u përgjigj me shumë vetëbesim dhe vetëkënaqësi, se ai ishte i pari që përdori fjalën “reformë” në shëndetësi. Në fakt, kjo përgjigje e Ndokës ishte përkufizimi më i mirë i stilit të qeverisjes që lamë pas: një qeverisje që e përdori fjalën “reformë” çdo orë e çdo minutë, por që në realitet është vështirë të gjendet një reformë e mirëfilltë e realizuar apo e arrirë.
Mungesa e reformave në qeverisjen e kaluar u pa pas rezultatit të zgjedhjeve, i cili nxori fitues Aleancën për Shqipërinë Europiane, pasi të gjitha institucionet nisën të humbin kontrollin në drejtimin e vendit. Dy muajt e fundit kanë qenë më të përgjakshmit për sa i përket krimit, dhunës në familje dhe aksidenteve rrugore. Por u pa edhe një vrull ndërtimesh pa leje, mungesë parash për të paguar administratën e pensionistët dhe një ngrirje, ose më saktë, braktisje të përkushtimit në detyrë në çdo aspekt administrativ. E gjithë kjo periudhë kaotike dëshmon se sistemi qeverisës nuk ka qenë i reformuar, por ka funksionuar vetëm mbi themele partiake, ndaj me ndryshimin e forcave politike që qeverisin vendin dhe largimi i drejtuesve me status politik, sistemi rrëzohet duke i lënë kështu hapësira të bollshme krimit, dhunës, abuzimit dhe frikës.
Qeveria e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit duhet të marrë mësim nga spekulimi që është bërë me fjalën “reformë” dhe të nisë punën për ndërtimin e një shteti modern, të themelojë një infrastrukturë qeverisëse dhe administrative, e cila do të përshtatet me hapat e shpejtë të zhvillimit dhe dinamikës globale, të tregojë një stil europian dhe të realizojë të gjitha reformat e nevojshme në çdo sektor të jetës së vendit.
Historia e qeverisjes së vendit, gjatë dy dekadave të fundit, është e mbushur me shumë shembuj të mirë pune dhe kontributi, por edhe me shumë raste abuzimi dhe sjellje arrogante apo indiferentizmi. Dhe, pavarësisht punës që është bërë në zhvillimin e vendit, mund të pranojmë se hapat e këtij zhvillimi kanë qenë tejet të ngadalta. Për këtë arsye, nuk do ishte e pavend dhe e ekzagjeruar të pretendojmë që qeveria e re dhe aleanca e re qeverisëse të përpiqet të arrijë një sukses historik. Fjala “historike” në politikë është një fjalë populiste, por nëse është shtysë për një qeverisje sa më të mirë atëherë ajo merr vlerat që i takojnë, dhe vërtet sjell suksesin.
Një qeverisje historike e Aleancës për Shqipërinë Europiane nuk ka arsye për të mos qenë e tillë. Kjo aleancë e majtë, e legjitimuar bindshëm nga vota e një milion shqiptarëve, e ka në natyrën dhe llojin e vet politik të ndërmarrë reforma dhe të bëjë histori. Spektri i majtë bazohet mbi filozofinë e ndryshimit, dhe ky ndryshim sjell risinë, dhe risia është histori.
Të dyja forcat politike, të cilat e përbëjnë këtë qeverisje, kanë si filozofi të tyre ndryshimin: PS-ja të rigjenerojë sistemin, dhe LSI-ja të ecë sa më shpejt drejt Europës dhe vlerave demokratike e të qytetëruara që ajo përfaqëson. Të dyja këto forca plotësojnë njëra-tjetrën, pasi të dyja kanë filozofi integruese dhe jo provinciale ballkanike, ndaj edhe do të jenë si një njësi dhe ekip i vetëm në qeverisjen e vendit.
Sfidat me të cilat do të përballet qeveria e re janë të shumta. Por, pavarësisht vështirësive, nuk ka asnjë sfidë të cilën vendet e tjera të mos e kenë përjetuar dhe kapërcyer. Në të gjithë botën sfidat rëndojnë njëlloj, pasi nuk ka asgjë të re nën diell, por qëndrimi dhe mënyra që përdoret për t’i kapërcyer ato ndryshon. Ndaj edhe qeveria e re duhet të ndjekë një filozofi dhe mënyrë fituese e jo humbëse në drejtimin e vendit.
Por, qeverisja duhet të sinkronizohet edhe me të qeverisurit. Ka ardhur koha që e gjithë shoqëria të bëhet partnere në qeverisje dhe të ndërgjegjësohet për përgjegjësitë e veta. Nëse kërkojmë që qeverisja të jetë e një stili europian ashtu edhe e gjithë shoqëria jonë duhet t’i përngjasojë shoqërisë europiane, si në sjellje ashtu edhe në etikën e punës dhe zbatimin e ligjit, në mënyrë që paralelisht të kontribuojmë në zhvillimin e vendit.
Top Channel