Champions, eliminohet Skënderbeu

06/08/2013 22:20

Tingëllon si e pabesueshme por, për Skënderbeun, padyshim që kjo është fitorja më e hidhur.

Humbja 3-0 në ndeshjen e parë harrohet shumë shpejt, pasi 30 minutat e para në “Qemal Stafa” janë një ëndërr më vete.

Vlen të rishohësh disa herë këto 30 minuta, kur Tomiç dhe dy herë Shkëmbi, pas penalltive të fituara nga Pejiç, arrijnë të zerojnë disavantazhin dhe të përfshijnë të gjithë stadiumin në një ëndërr të bukur, por që si e tillë, edhe në këtë rast, nuk zgjat shumë.

Në mbyllje të pjesës së parë, Shakhtari ngushton në 3-1 rezultatin dhe kjo goditje, që gjeti të pavëmendshme mbrojtjen korçare, ndikon jo pak në moral.

Gjithsesi, kundërshtarët ishin dukshëm nën presionin e kampionëve të Shqipërisë. Dëshira dhe nevoja për të shënuar edhe dy gola të tjerë, ndoshta një objektiv i mundshëm, ishte një moment shumë i bukur për të qenë i vërtetë dhe Pejic, atëherë kur pritej më pak, nuk shënon por lë skuadrën me 10 lojtarë, pas një nervozizmi të tepruar.

Minutave të mbetura i shtohet edhe lodhja, veç epërsisë numerike të kundërshtarit, që shënon edhe golin e dytë në minutën e 66’.

Këtu mbyllet kapitulli i Champions League për kampionët e Shqipërisë që, të paktën, edhe në 90 minutat e fundit fituan, dhuruan emocion për më shumë se 30 minuta, por ndryshe nga ndeshja e shkuar, këtë herë i mungoi fati.

Gjithsesi, Skëndërbeu do të presë tashmë shortin, për të mësuar kundërshtarin e radhës, këtë herë në fazën “play off” të Europa League.

Top Channel