Baseball, ndëshkim rekord për dopingun

06/08/2013 00:20

Liga e Bejzbollit në SHBA ka njoftuar gjatë së hënës masat ndëshkimore ndaj 13 lojtarëve, përfshi yllin e New York Yankee, Alex Rodriguez, pas një hetimi mbi përdorimin e substancave të ndaluara, stimuluese të performancave.

Rodriguez është pezulluar me 211 ndeshje të sezoneve të rregullta, deri në atë të 2014-s, por 38-vjeçari luftarak ka thënë se do të apelojë vendimin. 12 lojtarët e tjerë pranuan pezullimet prej 50 ndeshjesh, pa të drejtë apelimi.

Rodriguez dhe të tjerët akuzohen se kanë vizituar klinikën anti-plakje “Biogenesis” në jug të Floridas, si dhe marrjen e drogave për rritjen e performancave. Rodriguez ka mohuar akuzën.

“Jam i zhgënjyer me dënimin dhe do të apeloj, për ta luftuar këtë proces. Mezi pres të rikthehem në fushë dhe të jem në krah të shokëve të mi në Chicago sot”, tha ai pas shpalljes së vendimit.

“Dua të falënderoj familjen time, shoqërinë dhe fansat, të cilët kanë qëndruar në krahun tim gjatë kësaj kohe”. Rodriguez mësohet se mund të luajë ende, gjatë kohës që do të jetë në shqyrtim apelimi i kësaj çështjeje.

Top Channel