Halle me tërkaç nën diellin si saç

05/08/2013 00:00

Artur Lazebeu – Shumë pak për ne, shumë pak për ta. “Ju lutem, ju lutem, ju lutem! Kom tre kalamoj, nuk di ç’a t‘i boj! S‘kemi emër, por kemi zemër. Kini mëshirë, jemi rob t‘mirë. S’e kemi kismet, tjetri osht n’pronë t’vet.

Nuk kemi zë, mos na lini pa gjë!” Kështu mund të përmblidhet gjithçka u munduan të thoshin të dielën dy romë nga ata dhjetëra familje të tilla, teksa kishin gatitur shtrojë e mbulojë për t’u zhvendosur kushedi se ku në rrugë të madhe.

Halle dhe valle të një sage sa të lashtë, aq edhe moderne që luhen si ato pak nota në muzikë vaji dhe qejfi, simfoni durimi dhe tallava dëshpërimi njëkohësisht. Sado kudo formë bashkëndjesie t’i japësh, stereotipat janë aq të ngulitura në kulturën e të perceptuarit, saqë cinizmin vetëm se mund ta zbusësh nën frerë të njëpasnjëshëm civilizimi, më e pakta nën maska pragmatiste, diktuar nga një realitet i pashmangshëm, pjesë e të cilit ata janë sikurse ne.

Fill pas tyre, Avokati i Popullit ngriti zërin, kësaj here duke parashtruar emergjencën për largimin e dhunshëm ditën me diellin si saç mbi tërkaç, por edhe problematikën e mprehtë sociale që shihet në plan afatmesëm dhe afatlargët.

E vetmja gjë që nuk mund të bëjë kësaj radhe, është ofrimi për së dyti i konakut, sikurse pati vepruar sapo kish futur këmbën në atë institucion, fuqia e vetme e të cilit është dhënia zë të pazëshmëve, për t‘u dëgjuar nga ata që janë të detyruar të dëgjojnë, por edhe të veprojnë.

Të dielën media pasqyroi jo thjesht disa dhjetëra familje rome me shtëpi në krahë, por eventualisht evitoi një mospërsëritje të makabritetit racist të ndodhur këtu e tre vjet më parë diku pranë stacionit të trenit, kur disa kasolleve rome iu vu “zjarr pa zjarrvënës”.

Zjarrvënëse ishte intoleranca qytetare dhe indiferenca shtetërore. Kaq e pamundur ka qenë për shtetin të përshtatë ndonjë kazermë a pronë të ngjashme të ushtrisë për ta mbarë vendit?

Dimensioni social i ka munguar tejendanë të gjitha lejeve të ndërtimit, dhënë me shumicë përgjatë dy dekadave. Jemi thuajse në të përfunduar edhe të një dekade domethënëse dhe impenjative në planin lokal, rajonal dhe global, sikurse është Dekada e Romëve (2005-2015).

Synimi ka qenë dhe mbetet përmirësimi i statusit social-ekonomik dhe përfshirja sociale e tyre, një projekt ky multinacional për romët, ku qeveritë e 12 vendeve europiane, përfshirë edhe Shqipërinë, janë angazhuar për t’i dhënë fund varfërisë ciklike dhe përjashtimit social të kësaj popullsie të kudondodhur mbarë Europës dhe më gjerë.

Sa e sa punë janë parashikuar në planet kombëtare të veprimit, sa e sa punë edhe mund të jetë kryer në prioritete zhvillimi si shkollim, punësim, shëndet, strehim! Fonde të shumta janë hedhur në veprim dhe padyshim që nëpër seminare dëgjon edhe praktika të mira apo shembuj suksesi, madje nga goja e vetë përfaqësuesve të këtij komuniteti.

Megjithatë, skena e së dielës, ashtu sikurse ajo e ngulimit para një viti e gjysmë në oborrin e një institucioni shtetëror, ka shumë arsye t’i kursehen realitetit tonë të ashpër edhe pa këto.

Bashkia e z. Basha pati shkuar edhe më tej, kur përmes “ligjshmërisë për grumbullimin e mbeturinave urbane”, u privoi edhe të vetmin burim ekzistencial, sikurse ishte kërkimi i kanoçeve nëpër kazanë, ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes së z. Imami mund të kish ofruar disa prona të ushtrisë, jo domosdoshmërish për t’u hedhur në ankandin e përfitimit privat.

Edhe rikonstruksionet mund t’i kishin realizuar po me forcat xheniere, pa përmendur ministrinë me emër të gjatë të z. Ksera, të famshme për projekte me dhe pa bereqet. Le të shpresojmë që atë që nuk e bëri z. Imami, do ta bëjë zj. Kodheli, sikurse atë që nuk e bëri z. Ksera, do ta bëjë z. Velia.

Sa për z. Basha, ky mund të shkojë shumë larg me planet urbanistike dhe politike, por sa për hallet e romëve, një shembull konkret si praktikë të mirë mund ta marrë edhe nga kryetari i Bashkisë së Kavajës. Kam shkruar një herë për këtë.

Për zgjidhjen e një problemi sikurse është strehimi, më shumë sesa për mend, ka nevojë për shpirt, sens humanizmi dhe vizion qytetar. Ah, edhe ndjeshmëri antikorrupsion!

Sigurimi i strehës, veshjes dhe kotheres është kusht minimal mbijetese, i pamjaftueshëm për t’u konsideruar si arritje e “objektivave të dekadës”. Gjithë puna është se po përfundon “dekada” dhe shumë prej romëve janë ende atje ku kanë qenë ndër dekada e shekuj, herë të përndjekur, herë të përbuzur dhe herë të qesëndisur si shtojzovalle a shtojzohalle buzë përrenjve. Shumë pak për ne, shumë pak për ta.

“Ju lutem, ju lutem, ju lutem! Kom tre kalamoj, nuk di ç’a t‘i boj! Nuk kemi emër, por kemi zemër. Kini mëshirë, jemi rob t‘mirë. S’e kemi kismet, tjetri osh n’pronë t‘vet”. Halle dhe valle me tërkaç nën diellin si saç, një sagë sa e lashtë, aq edhe moderne që luhet si tallava tragjike përpara syve tanë dhe gjithë botës. Për ta nuk mund të ketë vetëm një derë, qoftë ajo edhe e një institucioni shtetëror. Shumë pak për ta, shumë turp për ne!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA