Monika Shoshori-Stafa – “Monopoly” është një lojë e mirënjohur amerikane, zbavitëse dhe ekonomike. Luhet me rregulla të ngjashme si në rulet, ofron larmi shansesh të pafundme fitoresh dhe gjithaq dhe humbjesh, varësisht nga fati. Çdo numër që kap lojtari ka një urdhër ose një lajm. Një prej “urdhrave” më të përsëritur është: “Kthehu në pikën e nisjes”. Kjo lojë është përhapur edhe në Europë. Zvicra, për shembull, që me Kushtetutë pret vetëm një kryetar shteti në vit, “u dhuron” diplomatëve një lojë të ngjashme me “Monopoly”-n. Ti provon rrugën më të shkurtër për të zënë vizitën e vitit dhe përgjigjja mund të jetë: Provoje me kryetarin e asamblesë. Ose: Nise me pjesëmarrjen në një forum, Davos, Kras Montana. Ose: Humbe dhjetë vjet, provoje më 2020.
Le të luajmë bashkë një “Monopoly” që ka të bëjë me leximin. Le ta përfytyrojmë gjithçka si të tillë.
Ti ke vendosur të harxhosh tri orë në ditë në “Facebook”. Tek e fundit, a nuk do të thotë fjalë për fjalë “faqe libri” ose “fytyrë libri”? Dhe me të vërtetë, “Facebook” ka diçka prej librit. Shpesh njerëzit vendosin në të poezi, tregime të shkurtra, reportazhe, letra, mesazhe personale, gjendje të çastit. Mund të bësh dhe ti “librin” tënd. Atë që dikur ishte privilegj i njerëzve me para. Mund të tregosh se kush je, nuk ke nevojë t’i drejtohesh asnjë redaksie, asnjë shtëpie botuese. Por pikërisht këtu lind pikëpyetja e parë: Ti po lexon atë që duhet vetëbotim. Dikur vetëbotimi kishte një rëndësi të rrallë, sepse ishte botim i ndaluar i veprës. Sot ndalim nuk ka dhe vetëbotimi është për ata që shtëpitë botuese, që shprehin interesa publikë, nuk i duan. Atëherë “guri” yt ka rënë në shenjën: “Kthehu tek leximi!”
Ti je tashmë abonent i përditshëm i disa rrjeteve multimediale. Kërkon në “Bearshare” apo në “Mininova” këngët që dëshiron, filmat që të pëlqejnë, piktura, foto, libra të formatit “eBook” që përton t’i shkarkosh, dokumentarë. Herë pas here të del këshillimi që prodhimet cilësore të këtyre porosive mund t’i marrësh me para. Por kush i hyn kësaj pune dhe kush po e vret mendjen për cilësinë e cenuar. Mirëpo një ditë ti porosit një film me titullin “Për kë bien kambanat”, sepse romani me të njëjtin titull i Hemingway-t të duket tejet i vëllimshëm për t’u lexuar dhe befas, pasi ke pritur më shumë se një ditë për shkak të shpejtësisë së ngadaltë të sinjalit të del se në fakt ke marrë një koleksion reklamash! Çfarë dëshpërimi dhe zhgënjimi! Pastaj heq dorë nga filmi dhe porosit një dokumentar për vijën Magino në Francë, sepse nuk të pëlqen të lexosh shumë histori, dhe papritur vëren se filmi që ke kërkuar në fakt është një koleksion fotosh për “wall paper” dhe asgjë tjetër. Atëherë “Monopoly” të urdhëron sërish: “Kthehu tek leximi! Kjo është zgjidhja”.
Ti ke një kartë anëtarësie në një “music market office”, ku mund të marrësh me një qira fare modeste dhe mund të kopjosh edhe për shokët e tu të gjithë filmat për të cilët ke pyetje në lëndën e letërsisë, prej “Komisarit Memo”, “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, “Karnavalet e Korçës”, “Përballimi”, “Dasma e Sakos”, “Toka jonë”, “Për kë bien këto daulle”, “Prefekti”, “Nëntori i një kryeqyteti”, “Njeriu i mirë”. Dhe pasi i ke parë shkarazi duke browser-uar (shfletuar) paralelisht ndonjë dialog në një forum të numerizuar ose, në rastin më të mirë, në një gossip, që përsëri thashetheme do të thotë. Mirëpo në një çast ti kujtohesh, se je një qenie e mençur, se mësuesja ka për të të pyetur: cila është ideja e autorit, çfarë përfaqëson karakteri i Mato Grudës, po koloneli, po ditari, po prifti, po ai minatori nën “erën e ngrohtë të thellësive”. Atëherë të vjen në mendje se me filmat në dvd ke përftuar shije të këndshme, se karta e anëtarësisë në “movie club” ka një vlerë pa dyshim, por gjithsesi: “Kthehu tek leximi! Kjo është rruga!”.
Por sigurisht që ti ke rrugë të tjera për të propozuar. Tani mund të lexosh në anglisht dhe mund të mund të jesh një klient i rregullt që shërben vetë libra në format të barabartë me atë tradicional, mirëpo të del se kur i kërkon anglisht të dalin me titra kinezisht, japonisht, armenisht, gjeorgjisht; ku ti nuk kupton thuajse asgjë. Fillimisht të del vështirësia që faqet më të rëndësishme ky “bamirësi” nuk t’i jep, por t’i mbulon. Pastaj vëren se teksti është krejtësisht i pakopjueshëm. Dhe më pas: nëse e do librin, pikërisht atë librin tënd më të preferuar, “Twilight eclipse”, duhet patjetër ta paguash. Askush nuk ta kërkon për provim, për notë, por ti duhet ta lexosh si gjithë të tjerët, pjesa më e madhe e të cilëve e ka blerë në panair, me 20 për qind ulje. Atëherë ty nuk të mbetet rrugë tjetër: “Kthehu tek libri, kthehu tek leximi, kjo është rruga! Të gjitha të tjerat janë kalimtare. Një program i sotëm nesër nuk lexohet. Libri që ti ke marrë falas nuk të vlen pas një gjysmë viti.
E mirë, tani së fundi ti ke mundësi jo vetëm ta shijosh një vepër arti, por edhe të të duket sikur je brenda asaj që quhet “fiction”. Janë prodhuar filmat e parë tripërmasash, 3D, ku, falë një iluzioni optik, mund të të duket se je edhe vetë aktor i filmit, këngëtar i skenës, lojtar i skuadrës kampione; një privilegj shumë i madh. Mirëpo ndërsa ti shastisesh prej efekteve mashtruese (iluzive), që janë teknikisht një arritje e madhe e dijes, vëren se mund të përftosh kënaqësi, por jo dhe dije. Çfarë do të bësh?! “Monopoly”, loja argëtuese-përfituese e shoqërisë më pragmatike në botë, shoqërisë amerikane, të rekomandon: “Kthehu tek leximi!” Është njësoj si këshilla e orakujve Odiseut: Kthehu në Itakë! Njeriu, sa më shumë që rritet, aq më shumë mendon se koha për të parë botë mbaroi, tani është koha për të qenë tek burimi: libri/vendlindja!
Top Channel