Një lojë shekullore e medias: Nga janë ministrat e rinj?

03/08/2013 00:00

Nga Mustafa Nano – Kronika politike e dy dekadave të fundit ka regjistruar, mes të tjerash, një fakt interesant. Të nesërmen e ditës që është shpallur një qeveri e re, media shqiptare, gjithnjë, është tërhequr, më së pari nga ideja për të hetuar e zbuluar prejardhjen e origjinën “etnike” të ministrave. Të njëjtën gjë kishin bërë dhe dje e pardje, dhe një pjesë sosh kishin arritur me gëzim në përfundimin se, për sa u takon balancave lokale, kjo qeveri i ka kredencialet në rregull, pasi ka anëtarë të vetët edhe nga Shkodra (Beqja, Bushati), edhe nga Korça (bie në sy zv.kryeministri), edhe nga Jugu (Ahmetaj, Naço, Çuçi, Harito), edhe nga Veriu (Cani, Gjosha, Nikolli), edhe me origjinë të përzierë (Mimi Kodheli, vetë Edi Rama, etj).

Në të kundërt, ndonjë zë i opozitës (së pas shtatorit) në rrjetet sociale, ndoshta dhe nëpër gazeta, kish zhbiriluar me synimin për të gjetur e denoncuar zhbalancime të mundshme, dhe kish bërë interpretime të çuditshme të origjinës së njërit apo tjetrit për të dalë në përfundimin se kjo është qeveri e dominuar nga jugorët. Por afërmendsh, nuk është kështu. Kjo qeveri mund të ketë një, dy a tre probleme kongjenitale, por këto probleme nuk kanë të bëjnë me përfaqësimin e identiteteve lokale.

Kthehemi tek jehona mediatike e këtij argumenti, sidoqoftë. Me sa duket, loja me identitetin e origjinën lokale të atyre që marrin në dorë drejtimin e vendit është një ngasje që nuk ka të sosur në median tonë. Dhe kjo vjen, ngaqë ekziston bindja (të paktën, mes gazetarëve), se ndjeshmëritë ndaj ekuilibrave gjeografikë brenda një institucioni shtetëror janë ende të pranishme në publik, e për rrjedhojë, ende duhet të sillen si një kriter i rëndësishëm, i painjorueshëm, në mendjen e atyre që kanë në dorë të ndërtojnë institucione të tilla, siç është në këtë rast ky i Këshillit të Ministrave.

Ekzistojnë vërtet këto ndjeshmëri? Apo janë sendërgji gazetarësh? Kam përshtypjen se ekzistojnë, dhe me këtë kemi një nga dëshmitë e papjekurisë sonë kombëtare. Në shumë vende ky problem është i kapërcyer me kohë e me vakt, ngaqë identiteti kombëtar është ku e ku më i fortë se sa identitetet lokale. Askujt nëpër gazeta nuk do t’i shkonte mendja të fokusohej tek një çështje e tillë; dhe asnjë kryeministri, gjithashtu, ngaqë nuk ka ndjeshmëri publike, apo lokale, të tilla që të marrin formën e presionit mbi të. E prandaj, një kryeministër ka në mendje kritere të tjera rekrutimi e përzgjedhjeje të anëtarëve të kabinetit të tij qeverisës. Ka në mendje kompetencën, dijet, autoritetin, besueshmërinë publike, integritetin moral, etj. Por duhet thënë se, edhe pa e pasur në mendje shqetësimin e objektivin e shpërndarjes së balancuar gjeografike të përgjegjësive qeverisëse, gjetkë kjo gjë ndodh vetvetiu. Edhe në mos ndodhtë, nuk është se do kish ndonjë problem, por ajo ndodh, prapëseprapë. Ndodh rëndom, ngaqë rregullat e lojës janë krijuar qysh në krye të herës me synimin për të inkurajuar krijimin e institucioneve sa më përfaqësuese, edhe ngaqë kompetenca e dijet, ashtu si dhe përfshirja në aktivitetin politik, kanë një shtrirje uniforme në territorin nacional. Kjo e fundit është njësoj e vërtetë edhe për Shqipërinë, por ne vijojmë të përdorim lupën për të pikasur ndonjë anim të lehtë gjeografik të peshores së qeverisë.

Ka disa arsye pse. Së pari, ky merak lidhet më së shumti me nivelin përfaqësues të qeverisë, të ekzekutivit pra. Ndodh kështu, ngaqë në Shqipëri, qeveria shihet si një institucion mbi të tjerët, një institucion që të bën gjëmën, një institucion që merr vendimet e mëdha me rëndësi kombëtare e lokale, një institucion që bën shpërndarjen e parave, fondeve e investimeve, dhe më në fund një institucion – kjo është një përthyerje shumë lokale – anëtarët e të cilit kanë në dorë të krijojnë e shpërndajnë vende pune, të bëjnë ndere, të akordojnë fonde publike për vepra në zonat, prej nga ata vetë vijnë, e kështu me radhë (shembujt ilustrues janë të shumtë në këtë drejtim).

Së dyti, janë verifikuar disa praktika të shëmtuara në periudhën postkomuniste, të cilat, si precedentë, edhe kondicionojnë kryeministrat e radhës, edhe mbajnë gjallë frikën e opinionit publik. Fatos Nano ndërtoi dukshëm një qeveri të dominuar nga njerëz me origjinë nga Jugu (me plot të drejtë e kanë përdorur paralelen historike të Zonës së Parë Operative për ta përkufizuar). Ilir Meta e përdori fillimisht pushtetin me një logjikë të çuditshme, duke krijuar një entourage tribal, që ra në sy të të gjithëve. Tani e ka hapur shikimin dhe ka kapur gjeografinë e plotë, por janë të shumtë ata që janë të bindur se logjikën tribale e ka zëvendësuar me atë klienteliste (kjo ishte ajo që pamë gjatë katër viteve të shkuara). Ndërsa Berisha bëri një përzierje të tribalizmit, klientelizmit dhe nepotizmit (përsëris; më shumë në administratë e në institucione se sa në kabinetin e Këshillit të Ministrave). Këto precedentë pra e bëjnë të kuptueshëm tundimin mediatik për ta kapur këtë çështje.

Së treti, ka dhe një traditë historike që neve na vjen nga kohët e hershme, kur identitetet fetare e lokale jo vetëm ishin bomba që mund të shpërthenin nga një moment në tjetrin, por edhe silleshin si argumente për parandalimin e krijimit të shtetit shqiptar (para vitit 1913) apo si shqetësim se ky shtet, pikërisht për shkak të këtyre dobësive inherente, nuk mund të ish i qëndrueshëm e jetëgjatë (pas vitit 1913). E prandaj politikanët tanë nga njëra anë, e veprimtarët publikë atdhetarë nga ana tjetër, kanë ditur të demonstrojnë në vijimësi skrupuj e kujdes përballë ndjeshmërive që buronin prej këtij realiteti. Këshilli i Lartë (Regjenca) që doli nga Kongresi i Lushnjës u vendos të kish katër anëtarë, nga një për çdo fe (një mysliman synit, një bektashi, një katolik e një ortodoks), dhe më tej, çdo qeveri, para se të krijohej, futej në një sitë të imtë të balancave rajonale e fetare. Enver Hoxha e prishi këtë traditë, jo vetëm se fetë i nxori jashtë loje dhe i la pa asnjë rol në jetën publike, por edhe sepse regjimi i tij totalitar, pikërisht ngaqë ishte totalitar, kish luksin t’mos i lejonte vetes kushtëzime e kokëçarje prej ndjeshmërish e pretendimesh lokale për përfaqësim, duke maskuar kështu krijimin e një nomenklature sunduese të toskëve, por edhe duke krijuar idenë se ish arritur tanimë një unitet kombëtar, dhe se ish harruar e ish hedhur pas krahëve, si e kotë dhe e panevojshme, praktika e balancimit fetar e rajonal të strukturave të vendimmarrjes e të drejtimit të vendit.

Por nuk paska qenë kështu. Regjimi totalitar nuk ka mundur t’i zhbëjë identitetet fetare e rajonale; ai thjesht nuk i ka lënë të shpalosen e të shpërthejnë. Dhe këto janë rishfaqur si njëherë e një kohë; identitetet fetare jo dhe aq, e jo ngaqë kanë ulur kokë, por ngaqë, kështu duket, po bëhen gati të ngrenë kokë; e prapëseprapë, ka mijëra sy që këqyrin balancën fetare të Këshillit të Ministrave, duke parë tek anëtarët e qeverisë, jo besimtarët praktikantë, por origjinën fetare; dhe duket sikur ekziston një rregullator automatik që, edhe pa e synuar, e garanton një balancë kësodore në të gjitha qeveritë (me që ra fjala, në qeverinë “Rama” do të kemi dy katolikë, katër ortodoksë, e të tjerët myslimanë, d.m.th një pasqyrim pothuaj mekanik i rezultateve të censusit të kryer para ca kohësh).

Ne shqiptarët ende nuk kemi mësuar t’u bëjmë derman këtyre imperfeksioneve që e shoqërojnë shtetin/kombin tonë qysh nga lindja. Nuk i kemi lënë të zhvillohen, e të na marrin frymën, sidoqoftë. Dhe është kjo që na mbetet të bëjmë, me sa duket. Por duhet pasur kujdes se këto viruse mund të rikuperojnë forcën virulente të qëmoçme, e mund të vënë seriozisht në provë sistemin imunitar të shoqërisë, që paradoksalisht mund të jetë forcuar, e mund të forcohet, prej bashkëjetesës së gjatë me këto viruse. Ndoshta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA