Milan, në sulm për Ljajic, 8 mln euro

03/08/2013 00:40

Milan hidhet në sulm për Ljajic dhe e bën zyrtarisht, teksa mëngjesin e së premtes Adriano Galliani i ka telefonuar Fiorentinës për t’i prezantuar ofertën për serbin.

Kuqezinjtë janë gati të ofrojnë maksimumi 8 milionë euro për sulmuesin e ekipit “viola”, që do të largonte përkohësisht objektivin tjetër të Milanit, japonezin Honda.

Por, ai që ka prishur gjithçka është sërish Andrea della Valle, i cili pas takimit me talentin e ri ka frenuar. “Oferta është e ulët, Ljajic më ka thënë se kërkon të qëndrojë me ne”.

Nga Mynihu, ku ndodhej në pritje të largimit për në Frankfurt e më pas për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administratori i deleguar kuqezi ka ndryshuar strategjitë e merkatos, i lodhur duke pritur CSKA-në e Moskës.

Kujtojmë se futbollistit serb i skadon kontrata vitin e ardhshëm dhe duke nisur nga janari i 2014-s do të jetë i lirë të bisedojë me cilindo klub që dëshiron, e megjithatë Milan nuk ka pritur deri atëherë, por ka rritur ofertën deri aty ku nuk kishte shkuar më parë: 8 mln euro. Por, Fiorentina mbetet e palëkundur nga kërkesat e saj: 10 mln euro, edhe pse akordi për rinovimin e kontratës me Ljajic duket ende shumë larg.

Top Channel