ERVIN BAKU – Shqipëria dhe shqiptarët janë pjesë e pandashme e
bashkësisë së vendeve dhe popujve të kontinentit tonë të vjetër
europian.
Përkatësia e gjithanshme europiane e shqiptarëve dhe modeli i suksesit të demokracive të vendeve të Europës Perëndimore kanë frymëzuar aspiratën mbarëpopullore që Shqipëria të mos jetë thjesht një pjesë e natyrshme e kuadrit gjeografik dhe historik, por të bëhet pjesë integrale e bashkësisë aktuale dhe e identitetit të ri europian. Bashkimi Europian, për Shqipërinë dhe shqiptarët, përkthehet në më shumë siguri, më shumë stabilitet ekonomik dhe si rrjedhojë, më shumë prosperitet. Afro 95% e shqiptarëve duan që Shqipëria të hyjë sa më parë dhe shpejt në Europë. Duhet të jemi ndër vendet më eurofile të kontinentit plak. Dhe për këtë arsye, duke parë “etjen” dhe megadëshirën shqiptare për Europën, klasa jonë politike ka abuzuar për 23 vite me radhë me hyrjen e Shqipërisë në BE. Dhe natyrshëm lind pyetja 100 milionëshe: kur do të hyjë Shqipëria në BE? Që prej themelimit të tij në vitin 1957 (me gjashtë të parët, Gjermaninë, Francën, Italinë, Belgjikën, Luksemburgun dhe Holandën), Bashkimi Europian ka kaluar përmes gjashtë zgjerimeve të vogla dhe të mëdha. I pari në vitin 1973 (me Danimarkën, Anglinë dhe Irlandën), i dyti në vitin 1981 me Greqinë, i treti në vitin 1986 (me Spanjën dhe Portugalinë), i katërti në vitin 1995 (me Austrinë, Suedinë dhe Finlandën). Zgjerimi i pestë i Bashkimit Europian u krye në dy faza: e para në vitin 2004 me 10 vende, që shënon dhe zgjerimin më të madh të historisë së tij (me Çekinë, Sllovakinë, Slloveninë, Qipron, Hungarinë, Maltën, Poloninë, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë) dhe e dyta në vitin 2007 (me Rumaninë dhe Bullgarinë). Zgjerimi i gjashtë dhe i fundit ndodhi pikërisht 25 ditë më parë, kur Kroacia u bë vendi i njëzetetetë i familjes së madhe europiane. Bashkimi Europian është bërë “pishman si qeni” për 3 vende: Greqinë, Rumaninë dhe Bullgarinë. Edhe pse nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë asnjë reagim zyrtar, kjo më është deklaruar privatisht nga shumë parlamentarë europianë, të djathtë e të majtë. Edhe pse i gjendur sot në pikun e një krize ekonomike dhe politike, Bashkimi Europian ka një plan dhe vizion të qartë për të ardhmen, për zgjerimin e tij. Ndaj, për të gjitha këto, duke pasur parasysh proceset e deritanishme të zgjerimit të Bashkimit Europian, duke pasur parasysh se tashmë pesë shtete kanë marrë statusin e vendit kandidat (Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Islanda dhe Turqia), si dhe duke pasur parasysh faktin që Shqipëria do të marrë dritën jeshile nga Komisioni Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat vetëm në fund të vitit (iu deshën pra plot 13 vjet për t’ia arritur kësaj dite), e deklaroj me bindje të plotë: Shqipëria nuk mundet dhe nuk do të hyjë në Bashkimin Europian përpara vitit 2020.
***
Shqipëria ka interesa të mëdha ekonomike, të cilat lidhen ngushtë dhe direkt me Bashkimin Europian. Për vitin 2013, Shqipëria ka marrë nga Bashkimi Europian një ndihmë prej 95 milionë eurosh. Kjo ndihmë menaxhohet nga delegacioni i BE-së në Shqipëri. Kjo ndihmë prej 95 milionë eurosh shërben për forcimin e kapaciteteve të policisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të qenieve njerëzore, kontrollin e kufijve të vendit. Nga ana tjetër, kjo ndihmë është dhënë për instalimin e një pushteti gjyqësor të përgjegjshëm, të pavarur dhe efikas. Një pjesë e ndihmës shkon për administratën publike. Bashkimi Europian synon ta kthejë administratën shqiptare në një administratë më profesionale, të depolitizuar dhe pa korrupsion, të bazuar në një funksionim transparent, me emërime në bazë të meritës. Dhe pjesa e mbetur e këtyre 95 milionë eurove shkojnë për transportin, mjedisin, zhvillimin social dhe bujqësinë. Me marrjen e statusit të vendit kandidat në fund të vitit, kjo ndihmë dyfishohet, madje edhe mund të trefishohet. Këto janë përfitime neto, të cilat Shqipëria nuk e ka luksin të mos i ketë. Që prej fillit të viteve 2000, Shqipëria ka përfituar nga masat ekonomike tregtare autonome të Bashkimit Europian. Shkëmbimet dhe tregtia mes Shqipërisë dhe BE-së është zgjeruar me preferencat shtesë, falë hyrjes në fuqi më 1 dhjetor 2006 të akordit të përkohshëm. Me hyrjen në fuqi të MSA-së (Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit) më 1 prill 2009, kemi një bum në zhvillimin e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe BE-së. Bashkimi Europian është dhe mbetet absolutisht partneri kryesor tregtar i Shqipërisë. Në vitet 2009-2010, shkëmbimet me BE-në kapin 80% të shkëmbimeve totale të Shqipërisë. Po në vitet 2009-2010, eksportimet e Shqipërisë drejt BE-së llogariteshin në 700 milionë euro, ndërkohë që importimet nga BE-ja kapnin shifrën e 2,2 miliardë eurove. Prodhimet tekstile dhe të veshmbathjeve përbëjnë pjesën më të madhe të eksporteve të Shqipërisë drejt BE-së. Nuk diskutohet që sot, si pasojë e krizës së rëndë ekonomike, si eksportet dhe importet janë zvogëluar. Por Bashkimi Europian mbetet, dhe kështu do të jetë gjithmonë, partneri kryesor strategjik ekonomiko-tregtar i Shqipërisë. Ta themi troç, me hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian do të zgjidheshin probleme të shumta sociale dhe ekonomike. Deri në destinacion, rruga është shumë e gjatë, e lodhshme dhe tejet e vështirë. Ata/o që kanë jetuar në Europën Perëndimore dhe kanë prekur standardet e atjeshme, e dinë mirë këtë.
Top Channel