Ferrari, Montezemolo i “shkul veshin” Alonso-s

30/07/2013 02:40

E ardhmja e Fernando Alonso-s te Ferrari është vënë edhe më shumë në diskutim, pasi spanjolli u qortua publikisht nga presidenti i skuderisë italiane, Luca di Montezemolo, të hënën.

Dy herë kampioni i botës me shumë mundësi nuk mund të priste një dhuratë të tillë të padëshiruar, teksa festoi 32-vjetorin e lindjes.

Zërat që e lidhin Alonso-n me një kalim të mundshëm te Red Bull, pas largimit të Mark Ëebber në fund të këtij sezoni, janë vërtitur rreth bokseve të Formula 1 në Hungari, gjatë fundjavës që sapo lamë pas. Kjo gjë ndodhi, pas lajmit mbi një takim mes menaxherit të Alonso-s, Luis Garcia Abad, dhe drejtuesit të Red Bull, Christian Horner, gjatë së premtes.

Ujërat janë turbulluar edhe më tepër të dielën, kur Alonso, i pyetur se çfarë dhurate do të dëshironte për ditëlindjen e tij pasi zbriti në vendin e tretë në renditjen e pilotëve këtë sezon – për shkak të vendit të pestë të siguruar në Hungaroring – u përgjigj: “makinën e dikujt tjetër”.

Spanjolli shtoi se nevojiten përmirësime, nëse Ferrari kërkon të fitojë kampionatin botëror të Formula 1. Është ende e paqartë se cili pohim bëri që Ferrari të lëshonte një deklaratë në uebsajtin e tyre, duke shpjeguar se si presidenti i “tërhoqi” veshin Alonso-s gjatë një bisede telefonike, pas komenteve “që nuk ka shkuar mirë me Montezemolo-n dhe tashmë edhe me të tjerët në skuderi”.

“Të gjithë kampionëve të mëdhenj, që kanë pilotuar Ferrari-n, u është kërkuar të vendosin interesat e ekipit përpara interesave të tyre”, është cituar të ketë thënë Montezemolo nga uebsajti zyrtar i Ferrari-t, gjatë bisedës telefonike që kishte me Alonso-n.

“Ky është momenti kur duhet të qëndrojmë të qetë, të shmangim polemikat dhe të tregojmë përulje e vendosmëri për të dhënë kontributet e gjithsecilit, duke qëndruar përkrah skuadrës dhe njerëzve që na rrethojnë, brenda dhe jashtë piste”.

Top Channel